Limaj: Tash fillon gara se kush e ndali trenin

E publikuar: 14/01/2017 21:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Nismës për Kosovë, Fatmir Limaj ka komentuar deklaratat e fundit të drejtuesve të shtetit për ndaljen e hyrjes së trenit në Kosovë.

Limaj në një postim në Facebook ka thënë se tash ka filluar gara se kush e ndali këtë tren.

Ky është reagimi i plotë i Limajt:

E tash filloj gara se kush e ndali trenin..!

Si gjithmonë e kemi Hashimin i cili vrapon për të nxjer përfitime për veten e tij, nga angazhimi dhe puna e të tjerëve.

Trenin nga Serbia e ndali presioni publik në Kosovë dhe poashtu angazhimi i ndërkombëtarëve të cilët e kuptuan se ky veprim i qeverisë së Serbisë po e cenon rendin dhe sigurinë në Kosovë.

Pyetja e cila don përgjigje sot është: Se kush është përgjegjës për këtë situatë të krijuar ku Serbia merr guxim dhe nis këtë tren provokativ dhe me simbolikë të qartë, dhe kush e çka e solli murin në Mitrovicë ?

Krejt kjo që po ndodh sot rrënjët i ka qysh nga fillimi i dialogut pa kushte me Serbinë në vitin 2011, poashtu politika aventureske dhe e papërgjegjshme e kësaj qeverie, dhe tregtimi i disa politikanëve në pushtet me interesat e vendit tonë, për interesin e tyre individual.

Këta i kanë shkaktu shumë sherre e plagë Kosovës tonë, e që fatëkeqësishtë do të jetë shumë e vështirë me i largu dhe me i shëru.