Pas rrëfimit të ish hetuesit të EULEX-it, Troy Wilkinson, i cili thotë se ish-ministri i MTPT-së, Fatmir Limaj, nuk ka qenë asnjëherë i dyshuar për këtë rast, deri një ditë para bastisjes së Ministrisë, ka reaguar ky i fundit.
“Mua më intereson vetëm një gjë, të del e vërteta! Sepse është bërë shumë gjatë, 10 vjet”, ka theksuar kryetari i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, duke shtuar se “u bë boll ma”!
“Për mua është luks që aktualisht të merrem me prapavijën politike. Unë jam i interesuar që vetëm përmes rrugës ligjore të zgjidhim këto raste ndaj meje. Këto gjëra që po dalin sot mendoj se tregojnë mjaftueshëm që atje ka ardhur një erë e keqe që duhet të hetohet e ndriçohet deri në fund. Nëse nuk ndodh kështu, ne po dyshojmë se ky sistem i drejtësisë po fsheh diçka”, ka thënë Limaj në emisionin Rubikon të KTV-së.
Gjithashtu deputeti i Parlamentit të Kosovës ka folur edhe në lidhje me akuzat dhe hetimet që janë bërë ndaj tij në rastin e korrupsionit në ministrinë që ai drejtonte dikur, Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomit.
Ish hetuesi i EULEX-it: Fatmir Limaj u ndoq pa fakte
Ekzistonte një agjendë politike në EULEX për të ndjekur peshq të mëdhenj pa shikuar faktet ka thënë ish-hetuesi i këtij misioni, Troy Wilkinson.
Në emisionin ‘Rubikon’ të KTV-së ai ka thënë se një gjë e tillë ka ndodhur me rastin e MTPT-së. Ish-ministri Fatmir Limaj sipas tij, vetëm një dita para bastisjes ishte futur në listën e të dyshuarve pa fakte, me arsyen e vetme se ai do të përbënte lajm dhe do të krijohej përshtypja se EULEX-i po punonte.
Troy Wilkinson ka akuzuar zyrtarët e misionit të Bashkimit Europian se marrin paga të majme për të mos bërë asgjë.
Për dy vjet sa ishte hetues në EULEX, Wilkinson ka thënë se ka parë se në EULEX ekziston një agjendë politike për të ndjekur peshqit e mëdhenj pa i shikuar faktet.
Ish-hetuesi ka thënë se EULEX-i ka bërë përzgjedhjen e lëndëve që duheshin hetuar, duke mbyllur sytë para shumë krimeve që kanë ndodhur në Kosovë, ku përfshiheshin vrasje, plaçkitje dhe korrupsion.
Ai thotë se shqetësimet i ka ngritur në të gjitha nivelet, duke raportuar për këto edhe vetë ish-shefit të EULEX-it, Andy Sparkes, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje.
“Askush nuk është atje për të ndryshuar ndonjë gjë dhe ata që janë si unë që duan të shohin ndryshime nuk mund të jenë efektivë, sepse EULEX-i nuk do t’i lejojë ata të jenë të efektshëm”, tha ai.
Wilkinson ka folur edhe për Fatmir Limajn meqenëse ka qenë hetues në rastin e MTPT-së. Sipas tij, Limaj nuk ka qenë asnjëherë i dyshuar për këtë rast, deri një ditë para bastisjes, ku me insistimin e Isabela Arnalit ishte bërë i tillë.
“Ne kemi punuar në atë rast gjashtë muaj para bastisjes dhe unë isha atje si kryesues i hetimeve për forenzikën e IT-së. Kam marrë pjesë në çdo takim dhe isha me Prokurorinë dhe Limaj atëherë nuk ka qenë i dyshuar – deri në ditën e bastisjes kur Isabela Arnal insistoi që Limaj të bëhet i dyshuar. Atë kohë, një ditë para bastisjes, rezidenca e tij iu shtua listës së bastisjeve dhe kjo ishte e qartë për çdo prokurorë se ky ishte një akt i shënjestruar nga Isabel”.