Natën e darkës së krerëve të shtetit në rezidencën e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli në Hajvali mungoi zëvendëskryeministri i qeverisë Haradinaj, Fatmir Limaj dhe përfaqësuesit e partisë së tij.
Ai në Rubikon të KTV-së tha se një gjë e tillë u pa se nuk u prit mirë dhe nuk është mirë të mblidhen të gjitha institucionet bashkë.
“Ju e patë që nuk doli mirë. Me shku krejt institucionet në një vend, në shpi, vetë nuk po del mirë. Vendimet merren ndryshe, takim joformal”, ka thënë Limaj. I pyetur se pse mungoi, Limaj tha se kishte obligime familjare.
E zhvendosjen e Qeverisë së Kosovës, bashkë me objektet përcjellëse të propozuar nga presidenti, Hashim Thaci, Limaj tha se nuk e sheh si prioritet.
“Urgjente për Kosovën është kulla e Jasharajve”, ka thënë ai.
Limaj tregon se si u mashtruan deputetët për të nënshkruar iniciativën për shfuqizimin e Speciales
[21:15] – “Fati individual është krejtësisht i pa rëndësishëm në krahasim me fatin e Kosovës”, ka thënë Fatmir Limaj duke folur për iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Sipas Limajt, deputetët nuk kanë faj dhe vërtetët janë mashtruar.
“Po nuk besoj që deputetët e kishin bërë bash ashtu, deputetët s’kanë faj hiç, është jo korrekte, faji nuk është krejt te deputetët”, ka thënë ai.
“Ju kanë thanë që kanë sinjale që mund të bëjnë ndryshime te ligji dhe normalisht që edhe unë them se duhet të ketë ndryshime por jo kundër drejtësisë”, theksoi Limaj.
Ai beson që ligji si i tillë duhet të ketë ndryshime dhe për këtë nuk tërhiqet.
“‘Mos e bëni kështu se keni m’i ra pishman’, ju kemi thënë mirëpo është votuar ashtu. Për mua ka qenë punë e kryer”, ka thënë ai.
“Në 2005-ën nuk është dashur të bëhet ashtu, kjo tash kështu është 200 herë më e dëmshme se në atë mënyrë. Unë besoj që është çështje e mbyllur. Mendoj se është mbyll me 22-in. Kosova duhet t’i kryej detyrat e veta dhe obligimet e saj. Kisha dashtë që ky vend të angazhohet shumë më shumë t’i kryej me dinjitet situatat që po i vijnë”, shtoi tutje Limaj.
Duke folur për kohën kur ai e kryeministri Haradinaj u morrin në Hage, tha se atëherë besohej se është diçka individuale.
Limaj nuk e kundershton marreveshjen e demarkacionit
[21:01] – Fatmir Limaj në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ka thënë se nuk e sheh si opsion rrëzimin e marrëveshjes aktuale të demarkacionit me Malin e Zi
Duke folur për vizitën që e kishte ditë më parë në Mal të Zi, Limaj ka thënë se shteti fqinj është i hapur për bisedime për marrëveshjen aktuale, derisa rrëzimi i marrëveshjes mund të bëhej vetëm nëse malazezët mbyllin dyert për bisedime.
“Është një atmosferë pozitive e miqësore, Mali i Zi është gjithmonë i gatshëm me bisedu dhe ka qenë gjithmonë i gatshëm. Qysh përfundojnë këto bisedime, nuk mund ta di. Unë po flas nëse duam ta zgjidhim se përndryshe vetëm shkojmë në Kuvend edhe e deratifikojmë edhe s’kemi marrëveshje”, ka thënë Limaj.
“Në këtë situatë ku jemi ka hapësirë dhe mundësi, pa pas nevojë që Mali Zi ta prek marrëveshjen dhe pa humbur kurrgjë Kosova, mund të vijë deri te kalimi i kësaj situate. Rrugës mund të shihet se ku ka gabime”, shtoi ai.
“Njerëzit e kanë pasur vetëm një dilemë, që ne po humbin territor. Ekspertët që ne kemi pas dilema, t’u japim kohë dhe të ballafaqohen me fakte. Pa një marrëveshje të përbashkët nuk ka kufij Mali i Zi e Kosova”, u shpreh Limaj.
Propozimi i tij është ballafaqimi i raporteve të demarkacionit të cilat janë bërë deri tash prej komisioneve të ndryshme.
Limaj e bën fajtor Thaçin për krizën politike në Kosovë
[20:38] – Zëvendëskryeministri i, Fatmir Limaj në një intervistë për Rubikon të KTV-së ka thënë se vendi gjendet në një situatë të tillë si pasojë e punës joserioze nga krerët e vendit.
Ai ka thënë se në asnjë vend të botës nuk nënshkruhet një marrëveshje dhe pastaj pas disa vjetëve të tentohet të shfuqizohet një vendim i tillë.
“Edhe kur nuk ki ekspert, blihet e paguhet. Shteti i ka ato mundësi, vetëm e vetëm që mos të gabohet”, ka thënë ai.
Përgjegjës kryesor i gjithë situatës brenda vendit është ish-kryeministri dhe presidenti aktual, Hashim Thaçi.
“Unë po e them me zë diçka që e dinë të gjithë dhe nuk hezitoj të them diçka të tillë. Ne jemi me këto tema të mëdha në tavolinë që nga dita e parë”, ka thënë Limaj.
















