Limaj: Nuk i druhem asnjë mocioni të Opozitës (Video)

E publikuar: 08/12/2017 21:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në prag të 100-ditëshit të qeverisë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili është i ftuar sonte në Radion Televizionin e Kosovës flet për programin qeverisës dhe projektet që pritet të realizohen nën qeverisjen e Haradinajt. Ai tha se nuk i druhet asnjë mocioni të opozitës.

”Nëse ka sukses mocioni shkojmë në zgjedhje, është krejt demokratike. Pse t’i druhemi ndonjë mocioni të opozitës “, tha ai, duke shtuar se nëse kjo qeveri nuk i përgjigjet kërkesave të qytetarëve, atëherë nuk ka asnjë problem që të shkoj.

Opozita tha Limaj, nuk ka asnjë arsyeje për ngritjen e ndonjë mocioni për rrëzimin e qeverisë.

Në emisionin politik DEBAT me gazetarin Ridvan Berisha, Limaj  jep hollësi se çfarë e ka karakterizuar qeverinë e Haradinajt që nga themelimi e deri më tani.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj u është përgjigjur deputetëve opozitarë të cilët kanë shumë kritika në lidhje me programin e qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Limaj thotë se opozita programin e saj duhet ta ruaj për kohën kur të vijë në pushtet.

“Programin e bën vetë qeveria. Ajo e vlerëson se çka do të bëjë në katër vite. Nuk është e domosdoshme me i pëlqy opozitës”, tha Limaj për RTK.

“Programi qeverisës nuk është përgatitë për me i pëlqy opozitës. Është përgatitë me ja vu përpara opozitës dhe qytetarëve që më vonë ata me thënë nëse nuk janë realizuar”, tha Limaj.

Sipas tij, shumë punë janë bërë në tre muajt e parë të kësaj Qeverie. Ai ka thënë se agjenda e zgjedhjeve komunale nuk ka ndikuar në punët e kësaj Qeverie.

Limaj ka thënë se kjo Qeveri ka listuar katër, pesë prioritete dhe janë duke punuar fuqishëm. Rezultatet konkrete, Limaj thotë se do të shihen shumë shpejtë.

Ndiqeni intervistën e plotë të zv.kryeministrit Limaj: