
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se Nisma nuk ka arritur asnjë marrëveshje me ndonjë subjekt politik deri në këtë moment, por është e gatshme të kontribuojë në krijimin e institucioneve të reja, raporton Ekonomia Online.
“Ne presim që qeveria dhe institucionet të krijohen sipas afateve kushtetuese. Ne do të luajmë rolin tonë në krijimin e këtyre institucioneve, për aq sa na takon dhe kërkohet nga ne. Këtu përfundon detyra jonë kushtetuese. Kështu që, pak a shumë, këtu jemi. Nisma nuk ka marrëveshje me askënd deri më sot dhe është e gatshme, madje do të punojë fort që Kosova t’i formojë institucionet dhe të mos shkojë në një krizë parlamentare. Ajo që mund të themi deri më tani është se nuk kemi asnjë marrëveshje me asnjë grupacion politik,” u shpreh Limaj.
Ai tha gjithashtu se nuk ka qenë pjesë e ndonjë takimi apo dakordimi politik dhe mohoi se ka pranuar ndonjë kërkesë zyrtare për takim apo marrëveshje.
Megjithatë, Limaj tha se “kushdo që ofrohet, ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë”.
“Nesër, sigurisht, mund të ketë zhvillime… Nuk e di çfarë ka ndodhur, unë s’kam pranuar asgjë. Nuk kam asnjë shkresë nga askush, nuk kam parë ndonjë takim apo dakordim diku që të thuhet se dikush nuk duhet të takohet. Nëse ju keni parë ndonjë takim, ndonjë marrëveshje, ndonjë grupim ku unë kam munguar, atëherë keni të drejtë të thoni. Por unë nuk di që të ketë pasur ndonjë takim. Deri më tani, ne nuk kemi asnjë marrëveshje politike me askënd. Natyrisht, kushdo që ofrohet, ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë,” tha Lima.