Limaj: Kurti ra në kurthin e Vuçiçit, regres kontrolli i sigurisë në veriun e Kosovës nga EULEX dhe KFOR

E publikuar: 01/06/2023 23:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-luftëtari i UÇK-së, Fatmir Limaj, është shprehur se kjo që po ndodh në veriun e Kosovës, ka ardhur pasi Kryeministri i Kosovës, Kurti, sipas tij ka rënë në kurthin e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion”, Limaj shprehet se vetëm Kurti e di se çfarë po bën dhe si vepron për situatën në veriun e Kosovës.

Fatmir Limaj: Vetë Prishtina nuk e di se çfarë po bëhet, përveç Kurtit që vetëm ai po e di se çfarë po bën dhe po vepron. Ai e ka kuptuar pushtetin dhe po mendon se nuk ka nevojë për askënd tjetër dhe ky është gabimi fatal. Po ndodh ajo që ka tani e 2 vite me këtë politikë. Janë duke u parë rezultatet e tij negative me politikën e tij 2-vjeçare. Tani jemi përballë një situate. Ishte kurthi i Vuçiçit, Kurti ra në kurthin e Vuçiçit. Në kohën kur ne ishim para një marrëveshje gjithë finale, Kurti e ktheu çështjen në diçka teknike. Vuçiçit ia dha një ndihmë të madhe sepse ai e ka situatën e vështirë në Beograd. Karta i erdhi si qershia mbi tortë. Jemi para kësaj situate ku jemi sot. Frika ime është që Kurti edhe do të ja ngarkojë Kosovës një asociacion me kompetenca ekzekutive dhe do të prishë partneritetet me SHBA dhe BE.

Limaj thotë se kontolli i marrë nga EULEX dhe KFOR në veriun e Kosovës, është regres.

Fatmir Limaj: Në Prishtinë, po e shohin gjigantin Kurti duke bërë një diçka heroike dhe ne të UÇK-së nuk po e mbështesim këtë betejë heroike në raport me ndërkombëtarët për të. Në këtë betejë heroike, është duke na prishur me miqtë, edhe është duke na djellë asociacionin. Do ta shihni që do të jetë një situatë kritike. Unë jam i shqetësuar për deklaratën e KUINT-it. Praktikisht, nga sonte, po kthehet rezoluta 1,2,4,4 – Largohet Njësia Speciale e Kosovës. Sot situatën dhe kontrollin e sigurisë në Veriun e Kosovës po e merr EULEX dhe KFOR-i. Ky është një regres i madh dhe ky është një lajm i rëndë që po ndodh fatkeqësisht. Kurti ka pasur një politikë mashtruese, e ka bindur popullin e Kosovës. Opozita duhet të thërrasë seancë të jashtëzakonshme mbi zhvillimet në vend. Kosova është duke u shkatërruar nga brenda. Opozita jonë është dashur që të kishte propozime për zgjidhje.

Mes të tjerash, Limaj thotë se nuk mund të ketë paqe të mirfilltë pa integrimin e Serbisë në NATO dhe në BE.

Fatmir Limaj: Raportet e Beogradit kanë ndryshuar. Nuk është ushtria më e 1999-ës. Në krye të vendit kemi njerëz që nuk kanë ditur asnjëherë të lexojnë mesazhin e ndërkombëtare. Serbia është një faktor i rëndësishëm për botën perëndimore. Nuk mund të kemi paqe të mirfilltë pa integrimin e Serbisë në NATO dhe në BE. Sjelljet e qeverisë së Kosovës është dashur që të jenë të kujdesshme./tvklan.al