LSI e ka hedhur poshtë sot në Kuvend, projektligjin e paraqitur “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare”. Kryetari i Grupit të LSI, Petrit Vasili, tha në fjalën e tij se “ky është provokim i rëndë”, pasi zhduk kufijtë ndërmjet pakicave dhe etniteteve.
“Ky ligj bie ndesh ndërmjet të tjerave dhe me Konventën kuadër të KE për mbrojtjen e minoriteteve, – tha Vasili, – dhe gjithë komentarin që e shoqëron atë dhe ky shqetësim nuk ka lidhje me folklorizmin patriotik dhe nacionalizmat paraurbanë, aq të zakonshëm në rajonin tonë ; madje, nëse do t’i përmbahesha diskursit nacionalisto-modern, pashmangshmërisht dhe krejt natyrshëm do të shtroja pyetjen: A është Shqipëria një shtet multietnik? A janë shqiptarët, popull shumicë shtetformuese apo jo?!
Projektiligji që është paraqitur në Kuvend nga qeveria nuk ka as koherencë as me traditën ligjbërëse njëshekullore të Shqipërisë dhe as me standartet bashkëkohore të së drejtës. Në emër të së ashtuquajturit diskriminim pozitv dhe nuk është çudi e re në parlamentarizmin shqiptar, projektligji na afron nocione dhe koncepte që nuk pajtohen as me traditën dhe as me standartet e konventës kuadër të KE.
Më e pakta që mund të them, ky është thjesht një konformizëm servil ndaj sloganeve europiane, shenjë e një papërgjegjshmërie dhe injorance shtetërore të patolerueshmesa të shtyjnë të dyshosh se nuk jemi para një projekti juridik, por para një projekti politik që sjell dhe synon të transferojë në realitetin e sotëm shqiptar problematikat e Jugosllavisë së djeshme.
Ja ç’shkruhet në pikën dy, ku thuhet se cilat janë pakicat… Pra, janë zhdukur kufitë ndërmjet pakicave kombëtare, etniteteve me statuse historike të mjegullta, ndërmjet minoriteteve dhe pakicave kulturore.”


















