Hyrja në fuqi e ligjit për paga në sektorin publik e më pas edhe miratimi i vlerës së koeficientit për pagën bazë prej 105 euro, përveç reagimeve publike, institucionet për pakënaqësitë kanë deponuar ankesa në Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP). Deri tash janë deponuar 30 ankesa kundër këtij ligji.
Këtë e ka bërë të ditur për “IndeksOnline” Petrit Çollaku, zyrtar për komunikim dhe qasje në dokumente publike nga Avokati i Popullit. Ai ka thënë se kanë marrë ankesa nga sektorë të ndryshëm.
“Deri më tani, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) ka pranuar 30 ankesa kundër Ligjit për Paga në sektorin publik. Ankesat kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, si nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, auditorë të brendshëm, zyrtarët komunal të arsimit të Komunës së Prizrenit, Shoqata sindikale e shërbimit sprovues të Kosovës, Instituti Kosovar i Drejtësisë (IKD), infermierët, mjekët që punojnë në Ministrinë e Shëndetësisë, laborantë të lartë mjekësor, Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror Zgjedhor, Qendra për pajisje të dokumenteve, Shoqata e Instrumentarëve të Kosovës, Komisioni i Pavarur i Mediave, Zyra e Rregullatorit të Energjisë, Ekspertët në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, etj“, ka thënë Çollaku.
Ai nuk ka treguar nëse Avokati i Popullit do të procedoj ligjin në Gjykatën Kushtetuese, por tha se janë në fazën e analizimit të këtij ligji.
“Institucioni i Avokatit të Popullit është duke i trajtuar këto ankesa, dhe po ashtu është duke analizuar ligjin në fjalë, dhe pas kësaj, Avokati i Popullit do të del me një qëndrim në lidhje me këtë çështje“, tha Çollaku.
Ligji i cili ka nxitur reagime është dekretuar në muajin janar të këtij viti, po ashtu me fillim të këtij muaji qeveria kishte bërë publike edhe vlerën e koeficientit të caktuar prej 105 euro që më pas ky vendim është votuar në Kuvend me shumicë të votave. Në këtë ligj janë të atakuar me paga 82 mijë zyrtarët publik.