Ligji për KPM’në që kaloi sot u kritikua masivisht, para votimit e la të habitur edhe Konjufcën

E publikuar: 12/07/2024 00:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Kryekuvendari, Glauk Konjufca

Kryekuvendari, Glauk Konjufca

Kryekuvendari, Glauk Konjufca derisa foli për votimin e Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, tha se nëse ky projektligj bie në kundërshtim me rekomandimet e Bashkimit Evropian, atëherë nuk do të duhej të votohej.

Konjufca para se të votonte këtë projektligj tha se nuk ka dëgjuar asnjëherë që rekomandimet janë pjesërisht në përputhje me legjislacionin e BE-së.

Megjithatë, Konjufca më pas e votoi, anipse ky projektligj mori kritika e reagime të shumta edhe nga ndërkombëtarët.

“Nuk pasna pa ndonjëherë kësi konstatimi që janë pjesërisht… ka çështje të cilat në mënyrë universale nuk trajtohen nga legjislacioni BE, pastaj shtetet i rregullojnë sipas mënyrave të veçanta. Kur bjen diçka nuk është pjesërisht, bjen në kundërshtim me disa pjesë. Nuk pasna dëgju kështu… Kur nuk ka kjo çështje nuk trajtohet, rregullojnë shtetet anëtare me mënyrat e veta. Këtu po thuhet vetëm pjesërisht janë në përputhje me legjislacionin e BE, po i bjen që një pjesë janë në kundërshtim me legjislacionin e BE”, tha ai.

Deputetë e Kuvendit të Kosovës në seancën e 11 korrikut e kanë miratuar Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i cili mes tjerash parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

Ky projektligj u miratua në lexim të dytë me 59 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime.