Me qëllim të diskutimit të ankesave të komunitetit të biznesit, këndvështrimit të organizatave të shoqërisë civile, planeve të institucioneve shtetërore dhe ofrimin e rekomandimeve lidhur me prokurimin publik, Oda Ekonomike Amerikane organizoi për anëtarët e saj tryezën mbi praktikat e Prokurimit Publik.
Paneli i kësaj tryeze, ishte në përbërje të Safet Hoxha, Kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Armend Agani, nga kompania Agani, Isuf Zejna, Menaxher i Projekteve në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) dhe Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka.
Në hapje të kësaj tryeze, Arian Zeka nga Oda Amerikane, tha se Prokurimi publik mbetet një ndër fushat më problematike dhe vazhdimisht e kritikuar edhe nga organizatat vendore dhe ato ndërkombëtare, me gjithë rekomandimet e shumta të dhëna viteve të fundit, me mbi 500 raste të shkeljeve të procedurave të prokurimit publik të evidentuara vetëm gjatë vitit 2014. Parregullsitë e shumta të cilat i karakterizojnë aktivitetet e prokurimit publik sugjerojnë në prani të madhe të korrupsionit dhe fatkeqësisht edhe prokurimi publik dhe ato qindra miliona euro të tatimpaguesve të vendit të cilat shpenzohen përmes aktiviteteve prokuruese mbeten peng i përmirësimit të sundimit të dobët të ligjit. Ai poashtu tha se nuk ka pasur aspak përparim megjithë anketat e organizatave të ndryshme dhe raportet e medieve viteve të fundit që kanë nxjerrë prokurimin publik si njërën nga të metat më të theksuara në ambientin e të bërit biznes.
Safet Hoxha, nga KRPP, e cilësoi fushën e Prokurimit Publik si sektorin më të ndjeshëm të administratës publike, e cila atakon dy palë të ndryshme. Sa i përket ndryshimit të ligjit mbi Prokurimin Publik, ai shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e organeve përgjegjëse për të kontribuar në këtë drejtim, duke ftuar të gjitha bizneset dhe akterët e tjerë relevant, të ofrojnë bashkëpunimin e tyre përmes rekomandimeve dhe sugjerimeve përkatëse. Sipas tij, krahas përgjegjësisë së tyre për të kryer detyrën publike, synohet edhe krijimi i kushteve për një ekonomi të lirë të tregut, duke mundësuar përballimin e konkurrencës së drejtë nga ana e bizneseve. Disa nga planet e ardhshme, ndër të tjera, ai përmendi harmonizimin e direktivave të ligjit të Prokurimit Publik në vendin tonë me ato të Bashkimit Evropian, eliminimin e defekteve të ndryshme që shfaqen gjatë këtyre proceseve, përfshirë ndryshimet legjislative, si dhe ndërtimin e bazës ligjore për krijimin e platformës elektronike të Prokurimit Publik.
Në anën tjetër, Armend Agani, nga kompania Agani, foli për çështjet e prokurimit publik nga perspektiva e një operatori ekonomik me përvojë 15 vjeçare, duke shprehur kritika të shumta mbi fushën e prokurimit publik në përgjithësi, me theks të veçantë në shëndetësi. Ai potencoi përgatitjen e specifikacioneve teknike si problemin më të madh në aktivitetet e prokurimit publik, meqë shumë shpesh ndodh që operatori ekonomik të paracaktohet dhe kushtet e tenderit t’i përshtaten atij operatori. Më tej, ai përmendi si shumë shqetësues faktin e ikjes së investitorëve të huaj si rezultat i parregullsive në prokurimin publik, duke thënë se kjo paraqet humbje të dyanshme, si për sektorin privat, ashtu edhe për shtetin.
Isuf Zejna nga KDI, krahas kritikave që dha lidhur me praktikat e prokurimit publik, foli edhe për punën që KDI ka bërë në identifikimin e fushave më problematike në këtë drejtim. Sipas rezultateve nga monitorimi pesëvjeçar, ai përmendi procedurat që kanë të bëjnë me planifikimin e biznesit, hartimin e specifikacioneve teknike, menaxhimin e kontratave, identifikimin e nevojave dhe përmbylljen e kontrollit, si disa nga çështjet ku hasen shumica e parregullsive gjatë procesit të prokurimit publik. Më tej, Zejna theksoi se fakti që nga 36 institucione të monitoruara, janë identifikuar 660 shkelje, nxit nevojën e menjëhershme të rritjes së presionit publik në institucionet përgjegjëse, me qëllim të rregullimit të konkurrencës së ndershme, duke e konsideruar ndryshimin e ligjit ekzistues si shumë të nevojshëm.
Tryeza vazhdoi me diskutime të shumta në mes të panelit dhe bizneseve pjesëmarrësve. Ndër çështjet kryesore të cilat u ngritën për diskutim nga ana e bizneseve, kishin të bënin me mënyrën e përgatitjes dhe shpalljes së tenderëve, përfshirë edhe afatet shumë të shkurtra për aplikim, ofrimin e sqarimeve të nevojshme për kushtet teknike, si dhe mungesën e vlerësimit teknik të zbatimit të tenderit.