Ligji për pagat për sektorin publik ka lënë jashtë shoqatat dhe kategoritë sociale të dala nga lufta. Kjo kategori është lënë jashtë dhe nuk janë pjesë e këtij ligji. Faton Klinaku u.d. i kryetarit të OVL-UÇK-së, pret që në lexim të dytë të ligjit të hy edhe kërkesa e tyre, që përfshinë kategorizimin e pagave, në të kundërtën do të protestojnë për të kërkuar të drejtat e tyre.
“Kemi kërkuar që kërkesat tona ti përfshinë në ligjin për pagat. Nëse në lexim të dytë nuk i fusin kërkesat tona ne do të protestojmë”, ka thënë Klinaku për IndeksOnline.
Ndërsa Ferat Shala deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se kjo kategori është e përjashtuar dhe se nuk trajtohet fare.
“Kërkesa e shoqatave por edhe e jona si PDK, ka qenë që në kuadër të ligjit të pagave të definohet edhe çështja e pagave të kategorive sociale të dala nga lufta. Të cilat janë të përjashtuar në mënyrë ekstreme edhe me anë të ligjit të pagave edhe kjo kategori nuk trajtohet. Arsyetimet kanë qenë të pasinqerta deri në banalitet. Dhe sot ne e kemi në lexim të dytë faktikisht ligjin e pagave i cili është i përfunduar de fakto dhe nuk pres që do të ketë asnjë lloj trajtimi të kësaj kategorie me anë të ligjit të pagave. Andaj fatkeqësisht edhe përkundër orvatjeve të shoqatave po edhe të grupeve të tjera parlamentare kjo nismë nuk është përkrahur nga mazhoranca“, tha Shala.
Ndryshe, ligji për paga në sektorin publik ka krijuar pa kënaqësi dhe revoltë të madhe ndaj deri sot në Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP) janë deponuar 30 ankesa kundër këtij ligji.