Ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale, i janë përcjellë Zyrës së Presidentes gjatë ditës së djeshme.
Kjo konfirmohet për radio Dukagjinin nga Presidenca e Kosovës përmes një përgjigje elektronike.
Presidentja, thuhet më tej në përgjigje do të veprojë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe në përputhje me rrethanat e reja ligjore të krijuara ndërkohë.
Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Ligji për Mbrojtjen Juridike dhe mbështetjen financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara u miratuan nga Kuvendi i Kosovës në procedurë të shpejtë në ditën e miratimit të amendamenteve kushtetuese që kanë të bëjnë me themelimin e Gjykatës Speciale dhe presin dekretimin e presidentes.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës i jep presidentes tetë ditë afat që t’i dekretojë apo refuzojë.
Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim lëndën, e cila ka në përbërje kontestimin e procedurave për riprocedim dhe votim të amendamentit 24 për Gjykatën Speciale.


















