‘Lideri’ i “AlbKings” dënohet me 21 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë, ja veprimtaria që ai kishte bërë

E publikuar: 27/03/2025 12:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar të enjten me 21 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë Florent Poroshticën, njërin nga të akuzuarit për krijimin dhe menaxhimin e grupit famëkeq, “Albkings”.

Seanca që u zhvillua sot ishte e mbyllur. Klan Kosova ka publikuar pjesë nga aktakuza që është e ngritur ndaj tij më 27 janar.

Ndaj të pandehurve, përfshirë Florent Poroshtincën, Edvin Nevzatin i ikur në Serbi, dhe të dyshuarës me inicialet E.S., rëndojnë veprat penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve në bashkëkryerje”, “Shantazhi” dhe “Shtrëngimi”.

Të gjithë të përmendurit më lartë janë të përfshirë në rastin e njëjtë të grupit “Albkings”. Edvin Nevzadi pasi kishte pranuar fajësinë dhe ishte liruar nga paraburgimi në tetor të 2024-së, ka ikur në Serbi, dhe nuk është paraqitur as më 30 janar kur kishte për t’u mbajtur seanca gjyqësore ndaj tyre, që është mbajtur sot.

I dënuari i sotëm Florent Poroshtica ka kryer veprat penale “Shantazhi” dhe “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti nga muaji shkurt i vitit 2023 deri në muajin maj të vitit 2024 në Gjilan, veproi nën nofkën “Lideri”. Gjatë kësaj periudhë kohore, ai në cilësi të administratorit kryesor dhe me privilegje të plota në grupet “Albkings” dhe “Vip Albania” dhe në grupe të tjera, në aplikacionin “Telegram”, ka shpërndarë dhe ka lejuar shpërndarjen në grup nga ana e personave të tretë (anëtarë të grupit) në grupet e krijuara nga i pandehuri, pa autorizim, fotografi dhe video të ndjeshme (eksplicite) të viktimave.

Këtë Poroshtica e kreu në bashkëpunim me të pandehurën E.S. e cila e kishte nofkën “Liderja”.

“Lideri”, siç e quante veten, nuk ishte ndaluar vetëm me kaq. Pas publikimit të videove dhe fotografive denigruese të viktimave, ai kishte kërkuar mjete monetare në vlera të ndryshme nga viktimat, familjarët apo edhe tek shoqëria e tyre.

Krejt këto, ai i kishte bërë që fitonte para për vete. E pagesat ai i pranonte në dollarë përmes “Paypal” në formë të parave digjitale, apo kriptovalutave.

Të gjitha këto më pas i konvertonte në para fizike në pikën e ExCoins në Gjilan, me ç’rast ka përfituar vlerën monetare në shumë totale prej 2,344.44 euro.