Liderët evropianë me letër publike: Kosova ta bëjë Asociacionin, Serbia njohjen de-facto

E publikuar: 27/10/2023 18:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kanë kërkuar që Kosova të nisë me procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas draft-statutit të propozuar nga ndërkombëtarët më 21 tetor dhe që Serbia të jetësojë njohjen de-facto.

Në letrën publike të tre liderëve evropian të lëshuar pasditen e së premtës thuhet se, “Me qëllim të arritjes së progresit të shpejt në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç përshkruhet në draftstatut, ndërsa Serbisë që të jetësojë njohjen de-facto. Formalitetet, përfshirë ato ndërlidhur me adoptimin, nuk duhet të qëndrojnë në rrugën e progresit për këtë çështje”.

Në letër, duke komentuar takimet e së enjtes në Bruksel, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, liderët evropianë kanë thënë se mirëpresin angazhimin “e të dyja palëve”.

“Kemi marrë parasysh komentet e bëra nga të dy liderët e Kosovës dhe Serbisë për statutin evropian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe gatishmërinë e tyre të shprehur për zbatim. Draftstatuti që kemi prezantuar dhe e shtyjmë përpara plotësisht, përfshin një mënyrë moderne evropiane për ta trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuara nga palët”, thuhet në letrën e publikuar në uebfaqen e Kancelarisë gjermane.