Liderët e Kosovës nuk po pranohen si duhet në politikën ndërkombëtare

E publikuar: 20/02/2022 22:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Uk Lushi

Niveli jo i naltë i takimeve dhe takimet kryesisht me tashmë miq të shqiptarëve të Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit në Konferencën për Siguri të Mynihut janë fakti më i ri që lidershipi i Kosovës nuk është duke u pranuar dhe depërtuar si duhet në politikën ndërkombëtare.

Shqetëusese është po ashtu mungesa e takimeve të lidershipit të Kosovës në nivele të larta në Washington D.C. dhe SHBA.

Presidenca, Kryeministria dhe diplomacia e Kosovës duhet të jenë më aktivë, më kërkues dhe bashkëpunues me institucionet dhe rrethet që mund të sigurojnë depërtim të lidershipit dhe diplomacisë së Kosovës në nivelet e larta dhe zyret vendimarrëse të politikës botërore.

Heshtja e këtij problemi, veçanërisht këto momente kur raportet Serbi-Kosovë janë në fazë delikate, vetëm sa do t’a bëjë më të vështirë rikthimin dhe depërtimin e Kosovës në shkallët dhe sferat ku ajo duhet të jetë e pranishme me lidership.

Një nga segmentet që mund të ndihmojnë është edhe Diaspora.

Organet e Kosovës duhet të kërkojnë ndihmë dhe të bashkëpunojnë me Diasporën Shqiptare.