Liderë serbë të Kosovës ia kujtojnë Vuçiqit se në veri sundojnë kriminelët

E publikuar: 20/01/2018 20:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Serbët nga pjesa veriore e Kosovës thonë se nga vizita dy ditëshe e presidentit të Serbisë nuk presin shumë dhe shtojnë se “Veriu nuk ka nevojë për marketingun e Vuçiqit”. Kështu shkruan e përditshmja e Beogradit, “Danas”, transmeton Koha.net.

Sipas kësaj gazete, ata shpresojnë se kjo vizitë të sigurojë kthimin e kompetencave të institucioneve në Kosovë dhe shkëputjen nga grupet joformale të cilat përbëjnë pushtetin faktik në veri të Kosovës. Serbët nga Kosova presin po ashtu që kjo vizitë e Vuçiqit nuk do të jetë edhe një nga seria e fushatave për marketing dhe vetëreklamuese për interesat e Beogradit, në prag të zgjedhjeve në kryeqytet, meqë, siç thonë serbët e Kosovës nuk kanë nevojë për marketing, por për zgjidhje konkrete që për ta do të thotë liri e respektim të të drejtave të tyre.

“Pres që gjatë vizitës dyditore në Kosovë e Metohi (KeM) presidenti i Serbisë të sqarojë nëse do të izolojë njerëzit të cilëve u prin Millan Radojçiq të cilët përfaqësojnë pushtetin real në KeM. Në këtë mënyrë do të bënte një punë me dobi të dyfishtë, neve lirinë e popullit, kurse në anën tjetër do të hiqej mundësia e akuzës se shteti serb, duke mbështetur elementet e tilla krimogjene qëndron pas asaj që ndodh në Kosovë e Metohi, që është dhuna e tmerrshme. Nga vizita e Vuçiqit në Kosovë pres dy gjëra, që vizita të mos përdoret për çfarëdo promovimi në kuptimin e angazhimit të autobusëve me njerëz nga Kurshumlija, Leskovci, Rashka, për të treguar se populli ka besim në të. Neve në këtë moment nuk kemi nevojë për kurrfarë mjegullimi përmes masës që vrapon pas Vuçiqit, e uron e i duartroket se ka besim në të”, i ka thënë “Danasit” Rada Trajkoviq, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës.

Ajo shton se serbëve në Kosovë u duhet bisedë serioze dhe marrëveshje serioze për përfaqësimin institucional të serbëve në Kosovë dhe jo cilido parasistem, transmeton Koha.net.

E pyetur nëse megjithatë pret se do të arrihet marrëveshja serioze, Rada Trajkoviq tha se çdo gjë varet nga fakti se sa do t’i frikësohet Vuçiqi nga bashkësia ndërkombëtare. Trajkoviq thekson edhe se nga Vuçiq pret që gjatë vizitës dyditore nuk do ta bojkotojë vlladikën Teodosije dhe Eparkinë Rashkë-Prizren, meqë ky do të ishte një gabim i madh.

Njësoj si Rada Trajkoviq, edhe Sllavisha Ristiq, deputet nga Kosova në Kuvendin e Serbisë, pret që vizita e Vuçiqit do të jetë edhe një kontribut marketingu në fushatën për zgjedhjet e Beogradit. Në favor të kësaj, siç ka thënë ai, është fakti se të gjithë të punësuarve në administratën e pushtetit lokal dhe në shkolla në mjediset e banuara me serbë në Kosovë e premtja është lënë ditë e lirë, ndërsa e shtuna ditë pune.

“Kjo ditë pune do të thotë detyrim për ta që në mënyrë të organizuar të marrin pjesë në pritjen e Vuçiqit, do të thotë po ashtu edhe në përcjelljen e vizitës së tij në Kosovë, në mënyrë që mediat pro regjimit në Beograd të mund të raportojnë se numër i madh serbësh nga Kosova e ka pritur presidentin e Serbisë dhe se ka besim të pakufishëm në të. Fatkeqësisht çdo veprim i Vuçiqit përbën fushatë dhe është e dhimbshme pse është kështu kjo situatë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Ne nuk kemi nevojë për deklarata, as vizita, neve na duhen rezultatet. Presim që pas kësaj vizite të marrim vesh se kush përbën në fakt pushtetin në Kosovë, a janë ato organet e zgjedhura zyrtarisht dhe institucionet zyrtare, që sot faktikisht nuk kanë pushtet, por disa grupe grupe formale. Presim që Vuçiq në cilësinë e presidentit të Serbisë të bëjë çdo gjë që pushteti të kthehet në rrjedhat legale”, ka thënë Ristiq.

Për Marko Jakshiqin, ish-deputetin e DSS-së nga Kosova në Kuvendin e Serbisë, vizita e Vuçiqit në Kosovë është diçka tashmë e parë.

“Jemi ngopur së shikuari vizitat e tij. As pas kësaj nuk do të ketë vende të reja pune, nuk do të jetë siguria më e mirë në krahasim me kohët e kaluara, as e ardhmja më ndritshme, duke pasur parasysh përgatitjet për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë nga duhet të hiqet preambula wë thotë se Kosova është pjesë e Serbisë dhe që të nënshkruhet marrëveshja gjithëpërfshirëse (me Kosovën – sqarim ynë). E gjithë përralla do të ngjasojë sërish në fushatë para zgjedhjeve të Beogradit, ndërsa serbët në Kosovë do të përshpërisin me frikë se çfarë po u ndodhë. Fatbardhësisht unë nuk do të jem pjesë e fushatës së Vuçiqit”, i ka thënë Jakshiq “Danasit”, transmeton Koha.net.

Presidenti i Serbisë ndodhet për një vizitë dyditore në Kosovë. Vizita vjen pas vrasjes së liderit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq./koha.net/