Të tërhequr nga premtimi i azilit të lehtë në Gjermani, rreth 150.000 kosovarë janë larguar nga vendi në fund të vitit 2014
Një divan pëlhurë i venitur është mbërthyer në qoshe të dhomës, një dhomë e ftohtë zë murin e kundërt, një llambë rri e varur në një tel. Nexhmedini përkëdhelë flokët e vajzës së tij në gjumë.
“Gjermania na ka përjashtuar më 1 tetor mua, gruan time dhe dy fëmijë”, thotë ai. “Që nga ai moment ne jetojmë me vëllain tim që na ndihmon për ushqim. Natën të ftohtit bie shpejt në malet e veriut të Kosovës dhe kur dimri vjen, fshatrat rreth Bajgorës janë të paarritshëm me mjete motorike”.
“Të gjej një punë? Unë nuk shoh se si. Ne do të përpiqemi për të mbijetuar me ndihma sociale, 75 euro. Në Kosovë, më shumë se gjysma e fuqisë punëtore është e papunë dhe çdo gjë është e mirë nëse na jap shpresë t’ia dalim disi”.
Fundi i vitit 2014, një thashetheme e çmendur përhapet nga fshati në fshat: Gjermania masivisht do t’u japë azil qytetarëve të Kosovës.
Për disa muajve, nga nëntori në shkurt, rreth 100.000 apo 150.000 veta tregohen të gatshëm për të braktisin jetën e tyre për të provuar fatin në Evropën Perëndimore.
Gjatë gjysmës së parë të vitit 2015, nga 180.000 kërkesa për azil në Gjermani, 78.000 ishin kosovarë.
Aplikantët fillimisht përfituan nga një “fat i papritur”, nga hapja e kufijve të Serbisë për qytetarët e Kosovës, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel në pranverën e vitit 2013 mes Beogradit dhe Prishtinës.
Fshatrat zbrazen: nuk ka më të rinj, por edhe familje të tëra janë zhdukur. Ata kanë shitur pasuritë e tyre të vogla ose kanë hyrë në borxhe, duke pasuruar peshkaqenët e kredisë që lulëzojnë në Kosovë. Ndërsa emigracioni është një traditë e vjetër, kryesisht janë më të varfrit dhe ata që janë shumë pak të diplomuar që u larguan gjatë eksodit të madh.
Fshati olimpik
“Ne u larguam nga Kosova më 2 shkurt. Një autobus na mori deri në Vojvodinë, në Serbinë veriore. Një trafikant pastaj na bëri të kalojmë kufirin hungarez, në këmbë dhe në shi, me një grup prej rreth tridhjetë njerëzve”, tregon Nexhmedini.
Çmimi: 200 euro për të rritur, 100 për një fëmijë.
Familja vazhdon pastaj të udhëtojë me tren deri në Budapest dhe Mynih. Ajo mbetët e vendosur përkohësisht në Fshatin Olimpik, ndërtuar për lojërat e viti 1972, para se të transferohet në një shtëpi për azilkërkuesit në Ingolstadt.
“Neve shpejt na kanë shpjeguar se nuk do të kemi azil dhe se duhet t’ ua lirojmë vendin sirianëve, shpjegon Mirvetja, një nënë e re. Ne patëm një zgjedhje ose të pranojmë një kthim vullnetar, ose të presim derisa policia të na kapë. Unë nuk dua që fëmijët e mi ta përjetojnë këtë: ne kemi rënë dakord për të nënshkruar dokumentin për t’u kthyer në Kosovë më 1 tetor”.
Në terminalin e ri të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës, një zyrë diskrete mirëpret të kthyerit nga Evropa Perëndimore. Disa broshura në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze, me logon e Bashkimit Evropian, flasin për “riintegrimin” dhe “strategjinë e zhvillimit”.
Por qeveria e Kosovës ka shumë pak për të ofruar për ata që kthehen.
Programi i rehabilitimit ka 3.2 milionë euro, një lëmoshë kur dihet se 15.000 kosovarë janë dëbuar nga Evropa Perëndimore që nga fillimi i vitit. Gjithashtu, duhet rikujtuar faktin se Berlini ka ndryshuar legjislacionin e saj të shtunën e kaluar për të shpejtuar dëbimet, duke treguar synimin e saj të qartë për t’i dëbuar dhjetëra-mijëra njerëz.
“Ne e paguajmë taksin nga aeroporti për të përcjellë të dëbuarit gjer në shtëpi. Ata që nuk kanë më shtëpi, mund të strehohen shtatë ditë në Qendrën e pritjes në Prishtinë, e cila ka 25 vende. Pastaj, shërbimet sociale komunale janë ato që të sjellin ndihmën e duhur”, thekson Fahrije Ternava-Sheremeti, drejtoreshë e programit.
“Edhe dhjetë vjet”
Jetoni, Flora dhe dy vajzat e tyre, katër dhe gjashtëvjeçar, kanë marr rrugën për në Gjermani më 20 janar.
Në fshatin e tyre, Stanovc, i vendosur në fushën pjellore që shtrihet në mes të Prishtinës dhe Mitrovicës, gjashtë familje të tjera tashmë kanë braktisur vendin.
“Burri im humbi punën e tij pas një problemi shëndetësor. Ne huazuam 2000 euro për të paguar udhëtimin”, tregon Flora, 28-vjeçare.
Në një strehimore të parë në Austri atyre u është thënë se ata nuk kanë të drejtë për azil.
Familja vendos të ikë për në Gjermani, ku ajo vendoset në një qendër afër Munihut.
“Ne merrnim 460 euro ndihmë në muaj, para mezi të mjaftueshme për të paguar ushqimin”.
Më 15 shtator sërish kthehen në Prishtinë.
“Atë ditë kishim vetëm 100 euro në xhep dhe nuk e dinim se si do të arrinim të kthejmë borxhin. Ne nuk e dimë se si do ta shlyejmë borxhin”.
“Flora dhe Jetoni kanë lënë dokumentet e tyre në Austri dhe familja nuk merr asnjë ndihmë”. “Së pari ne duhet të porosisim karta të reja të identitetit, por ato kushtojnë 22 euro, të cilat nuk i kemi”.
Gjatë qëndrimit në Gjermani, kasollja familjare e tyre është shembur.
Të dëbuarit janë strehuar në një dhomë të shtëpisë së papërfunduar të vëllait të Jetonit.
Vëllai Musafa, i cili punon si rojtar nate në Prishtinë, fiton 200 euro në muaj (të ardhurat e vetme të familjes) dhe ushqehet me disa perime të kopshtit të tij.
Fatalist, vëllai Musafa përjashton mundësinë për të ikur në Evropë.
“Unë nuk njoh asnjë gjuhë të huaj dhe jam shumë i vjetër, jam 50-vjeçar. Ndoshta kanë mbetur edhe dhjetë vjet jetë, pastaj s’jam më”.
Ai shpreh me hidhërim për shpresat e çlirimit të Kosovës në vitin 1999.
“Unë nuk mendoja se çdo gjë do të përfundonte në këtë mënyrë, që pavarësia do të ishte një fiasko e tillë. Unë do të doja që fëmijët e mi të kenë një jetë më të mirë se imja, por edhe ata janë bërë tashmë fatalistë. Kur iu them që të studiojnë, ata thonë se nuk kanë arsye për të mësuar. Edhe të diplomuarit nuk janë në gjendje për të gjetur punë”.
Më 9 tetor Kosova është sërish në listën e “vendeve të sigurta” nga ana e Zyrës Franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe Personave pa Shtetësi (OFPRA), gjë që do të vështirëson për kosovarët edhe më shumë marrjen e azilit në Francë. Në vitin 2014 azilkërkuesit kosovarë që kanë fituar azilin ishin vetëm 6.6% të rasteve. Gjermania, siç e bëri të ditur të shtunën e kaluar, mori të njëjtën masë për Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Një mënyrë për vendet e Evropës Perëndimore për të “menaxhuar” migrimin, ndërsa me mijëra refugjatë sirianë, afganë dhe irakianë hyjnë çdo ditë në Bashkimin Evropian nëpërmes shteteve të Ballkanit.
Mërgim në Suedi
Tereza Halili, një nënë rome nga Preoci, një enklavë serbe përreth Prishtinës, është përpjekur gjithashtu të ikë për të shkuar në Suedi. Ajo ka pritur deri në maj një nga vëllezërit e saj për t’u vendosur në Suedi.
Si të tjerët, ajo pagoi një trafikant për të kaluar ilegalisht kufirin hungarez. Por, sikur të tjerët, ajo është riatdhesuar me dy fëmijët e saj në Kosovë.
Ajo tani jeton në shtëpinë e gjyshes. “Ne nuk kemi asgjë. Burri im ishte vrarë gjatë luftës, në vitin 1999, ndërsa biri im mbledh në kontejnerë bukë të vjetër, të cilën ua shet fqinjëve që rrisin derra. Unë jam gjithashtu lypse në Prishtinë”.
Unë nuk kam asgjë kundër sirianëve, të shkretit mundohen të ikin nga lufta. Ndërsa ne, ne vetëm kemi një jetë të mjerueshme, që do t’ua lëmë trashëgimi edhe gjeneratave të ardhshme”. /Liberation.fr/