Lufta e deritashme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk e ka bindur BE-në, shkruan sot Koha Ditore.
Angazhimin e institucioneve në përmbushjen e kritereve që dalin nga Udhërrëfyesi për liberalizim të vizave, posaçërisht ndjekjen e rasteve të profilit të lartë në krim të organizuar dhe korrupsion, Ministria e Integrimit Evropian e ka përmbledhur në një dokument 8 faqesh, por i cili nuk ka arritur ta bindë Komisionin Evropian për heqjen e vizave.
Aty tregohet për databazën e krijuar prej 50 top-rasteve të krimeve serioze, ku përfshihen zyrtarë të lartë, ish-ministra, ish-kryetarë komunash dhe drejtues të kompanive publike.
“Deri tani janë shënjuar nëntë raste të korrupsionit tek zyrtarët e lartë dhe vlera e aseteve që mund të jetë subjekt i konfiskimit vlerësohet 13 milionë euro”, shkruan në dokument.
Por BE-ja kërkon më shumë rezultate konkrete.