LAJMI I FUNDIT “Ai i ndihmon vetëm Serbisë” Manuel Sarrazin i të gjelbërve është i përzgjedhuri i parë i Bundestagut për dërgues të veçantë për Ballkanin Perëndimor nën udhëheqjen e kancelarit Olaf Scholz.
Sarrazin ka qenë i ashpër përgjatë një debati në Bundestag karshi çështjes së shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një gjë të tillë e pati konfirmuar në një intervistë për mediumin Deustche Welle.
“Së pari, do të thosha se edhe kur filloi debati për një shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ishte në fakt e qartë se ai mund të hiqej nga tavolina për një kohë – por që disa aktorë mund të përpiqeshin t’i jepnin fund epokës Merkel për ta provuar”, deklaronte ai.
Ai kësisoj pati kritika edhe për Administratën Trump, ku Sarrazini i të gjelbërve thoshte se “Kosova po trajtohet nga Trump si koloni”.
“Kosova po trajtohet nga zoti Trump si koloni. Jo nga Bashkimi Evropian. Dhe ne duhet ta refuzojmë këtë duke thënë se nuk do të ketë shkëmbim territoresh, sepse populli në Kosovë dhe Serbi është kundër”, deklaronte ai përgjatë një diskutimi në Bundestag.
Sarrazin është shprehur pozitiv edhe për çështjen e liberalizimit, ku vjet thoshte në të njëjtën intervistë në DW se po bëjnë çmos që t’i liberalizohen vizat kosovarëve.
“Kosova ka kohë që i ka përmbushur kriteret, kërkesat teknike për lirimin e vizave. Kjo është arsyeja pse ne po punojmë me qeverinë federale, por edhe me partnerët tanë evropianë, për të lejuar udhëtimin pa viza sa më shpejt që është e mundur. Ky do të ishte gjithashtu një sinjal i rëndësishëm për rajonin se përparimi është realisht i mundur dhe gjithashtu një sinjal për ndërtimin e paqes në Kosovë”, deklaronte më tej ai.
Funksioni i të dërguarit special për Ballkanin Perëndimor është i ri në administratën shtetërore të Gjermanisë.
Ky pozicion u hap pasi në dhjetor u formua një qeveri e re në Gjermani, e përbërë nga Partia Socialdemokrate, Partia Demokratike e Lirë dhe Partia e Gjelbër – nga e cila vjen Sarazin.
I dërguari i Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor duhet të mbështesë procesin e integrimit evropian të vendeve të rajonit dhe të promovojë transformimin ekologjik të industrive të tyre dhe të sektorit të energjisë.
Sarazin me profesion është historian. I njëjti ka qenë deputet i Bundestagut nga viti 2008 deri në vitin 2021.
Ai aktualisht është president i Shoqatës për Evropën Juglindore (Südosteuropa-Gesellschaft), e cila merret me marrëdhëniet e Gjermanisë me rajonin, shkruan lajmi.net.
Në dhjetor, Mbretëria e Bashkuar emëroi gjithashtu një të dërguar special për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ndërsa në shtator, Gabriel Escobar u emërua i dërguari i ri i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. Të dy së fundmi kanë vizituar Prishtinën dhe Beogradin.