Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla zvarritjen e liberalizimit të vizave për Kosovën e ka quajtur mungesë vizioni dhe lidershipi të BE-së.
Shefja e diplomacisë kosovare gjatë raportimit të sotëm në Komisionin për Integrim Evropiane, tha se vendi ka plotësuar dhe tejkaluar gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Sipas saj, Kosovës po iu bëhet e padrejtë nga evropianët.
Haradinaj-Stublla para të zgjedhurve të popullit foli edhe për vizitën e saj në Holandë, vend skeptik ky për liberalizimin e vizave.
Ajo tha se aty nuk i është shprehur një shqetësim i saktë për hezitimin, por kanë propozuar një komision të përbashkët ndërmjet dy vendeve për të parë plotësimin e kritereve të Kosovës.
Të njëjtën gjë, ministrja tha se bashkë me kryeministrin Hoti ia kanë propozuar shtetit tjetër skeptik për liberalizim të vizave, Francës.
“Është mungesë vizioni dhe lidershipi i BE-së që mos të jap përgjigje për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kriteret janë plotësuar dhe tejkaluar e mirëmbajtur. Jemi në gjendje me punu me gjithë shtetet skeptike për t’i bindur për liberalizim të vizave. Për katër muaj kam arritur me i mbulu ose me diskutu virtualisht me ministrat e jashtëm të BE-së. Shumica prej tyre janë përkrahëse, e kemi presidencën gjermane e cila është duke angazhuar. Homologu holandez nuk ka shpreh shqetësim të saktë për mospërkrahje të liberalizimit të vizave”, tha ajo.