Liberalizimi i vizave gjatë presidencës kroate joreal, por jo i pamundur

E publikuar: 09/03/2020 09:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Bashkimin Evropian ende nuk ekziston një mbështetje e mjaftueshme për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kur thuhet se nuk ka “mbështetje të mjaftueshme” mendohet në faktin se disa shtete shumë të rëndësishme, si Franca dhe Holanda, janë kundër. Dhe kur këto shtete janë kundër, atëherë edhe disa të tjera hezitojnë të shprehen.

Në këto rrethana, procesi i liberalizimit të vizave me Kosovën vazhdon të jetë në pritje, përkundër konfirmimit të njëpasnjëshëm nga Komisioni Evropian dhe mbështetjes së Parlamentit Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ka pasur kërkesa nga Kosova, përfshirë edhe nga kryeministri Albin Kurti, kur ka paralajmëruar heqjen graduale të taksës për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, që BE-ja ta përmbyllë procesin e liberalizimit të vizave deri në samitin e Zagrebit. Një gjë e tillë në selinë e BE-së konsiderohet pothuajse e pamundur dhe gjithsesi joreale.

Joreale, por jo edhe e pamundur duket që vendimi për heqjen e vizave të miratohet deri në fund të presidencës kroate të BE-së, pra deri në fund të muajit qershor, që i bie dy muaj më vonë sesa samiti i Zagrebit.

Por, siç thonë bashkëbiseduesit e “Kohës” në selinë e BE-së në Bruksel, në rast të ekzistimit të një vullneti të fortë politik, gjërat edhe mund të ndryshohen.

Presidenca kroate e BE-së, siç ka thënë edhe vetë kryeministri i këtij shteti, Andrej Plenkoviq, është e mendimit se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe meriton vendimin për liberalizimin e vizave. Por, Plenkoviqi ka thënë po ashtu se “ka disa shtete që nuk e ndajnë të njëjtin qëndrim”.

Ai shpreson se në prag të samitit të Zagrebit do të ndryshojë pozitivisht edhe atmosfera në BE sa i përket rajonit të Ballkanit Perëndimor, do të krijohet konsensusi për vendim për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe në këto rrethana të reja do të mund të avancohej edhe drejt vendimit final për heqjen e vizave për Kosovën.

Kroacia është shprehur se është e gatshme ta vërë në rend dite në Këshill çështjen e vizave “sapo të krijohen kushtet”, me çfarë mendojnë në rritjen e mbështetjes në Këshill. Sepse askush nuk dëshiron që në rend dite të vendoset një çështje, e cila do të dështonte… (shkrimin e plotë e gjeni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.