Lëvizja Vetëvendosje përmbyll fushatën e saj elektorale

E publikuar: 27/12/2025 20:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje ka mbyllur sonte fushatën e saj elektorale, prej nga u bë thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e 28 dhjetorit të votojnë për numrin 116.

Kandidati për kryeministër Albin Kurti përmendi arritjet nën qeverisjen e tij të deritanishme duke thënë se ekonomia shënoi rritje nga 7 në 11 miliardë euro, ndërsa për vitin e ardhshëm parashihet të arrijë në 12 miliardë euro.

Ai theksoi se qeveria aktuale ka rritur ekonominë me rreth 1 miliard euro çdo vit, tri herë më shpejt se qeveritë e kaluara, ndërsa punësimi është rritur pesë herë më shpejt.

“Ata para neve, në vitin 2018, kurrfarë krize nuk ka pasur. Rritja ekonomike më pak se 4 për qind në 3.7 për qind, ndërsa në vitin 2012 vetëm për shkak të krizës iu pat rënë rritja ekonomike në 1.7 për qind, e merreni me mend ne e kemi gjetur ekonominë e Kosovës me 7 miliardë, sivjet është 11 miliardë e vitin e ardhshëm 12 miliardë. Për çdo vit e kemi rritur ekonominë nga një miliard. Atyre para neve u janë dashur tri vjet për një miliard kur vjen puna te rritja ekonomike, ne jemi trefish më të shpejtë se ata. Kur vjen puna te punësimi jemi pesëfish më shumë më të shpejtë se ata. Kjo rritje e punësimit ka qenë 85 mijë gjithsej apo 24% më i lartë se në vitin 2021”, tha Kurti.

Kurti po ashtu deklaroi se do të ndahet një miliard euro për ushtrinë e Kosovës dhe do të ketë fabrikë municioni.

“Në mandatin e ardhshëm do t’i ndajmë një miliard euro për prodhimtarinë, shteti do të jetë garanci hipotekë për investimet, të cilat do t’i bëjnë qytetarët e Republikës, qasja jonë është shumë e thjeshtë, kush punon fiton, kush fiton investon, kush investon punëson dhe kush punëson fiton edhe më shumë, prandaj një miliard euro për prodhimtarinë. Një miliard euro garanci për kredi në banka kurrë më ndërmarrësit e Kosovës nuk do të kenë nevojë që në bankat e Kosovës ta lënë hipotekë tokën stërgjyshore apo pasurit e pa luajtshme… Një miliard për ushtrinë, e kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, por gjithashtu i kemi shtuar edhe sytë në qiell – kemi tri lloje të dronëve ndërsa droni i katërt do të jetë Made in Kosova”, tha ai.

Kurti përmbylli tubimin duke u bërë thirrje qytetarëve që nesër të dalin dhe të mbështesin Vetëvendosjen për një të ardhme më të mirë dhe të qëndrueshme për Kosovën.