Lëvizja Vetëvendosje kërkon lirimin e aktivistëve të opozitës

E publikuar: 17/10/2015 13:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje përmes një aksioni simbolik kanë kërkuar lirimin e aktivistëve të opozitës të arrestuar nga policia e po ashtu kanë ngritur akuza ndaj kryeministrit Isa Mustafa se i ka rehatuar familjarët e vet, Serbisë po ia jep Asociacionin e Komunave Serbe ndërsa Malit të Zi territorin e Kosovës.

“Isa Mustafa po e vërteton se është Kryeministër i ‘Zajednicës’. Ai ka vënë në përdorim çdo mjet që të mbrojë këtë marrëveshje të dëmshme. Përmes policisë dhe drejtësisë së kapur ai i është lëshuar në gjah aktivistëve të opozitës”, bën të ditur Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate.

“Këtë zell të policisë dhe gjyqësisë sigurisht që nuk e shohim ndaj strukturave paralele, korrupsionit tenderomanisë, tjetërsimit të pronave, mafias së ndërtimit, klanit Hamiti dhe SHIK-ut dhe shumë strukturave të tjera kriminale që janë të lidhura ngushtë me pushtetin”, a thënë aktivisti i kësaj lëvizjeje Nol Nushi gjatë këtij aktiviteti.

“Deri tash nga qeverisja Mustafa, kanë përfituar vetëm familja e tij, Serbia dhe Mali i Zi. Djemve po u jep tenderë, Serbisë po ia jep “Zajednicën” e Malit të Zi po i falë territor”, është shprehur Nushi.

Opozita e bashkuar bën thirrje që aktivistët të lirohen sa më parë, dhe të tërhiqen marrëveshjet e dëmshme, përndryshe sipas tyre këtë pushtet e pret rezistencë e fuqishme qytetare.