Letra e Kurtit për LDK-në, Abdixhiku mbledh sot pasdite kryesinë

E publikuar: 08/04/2025 11:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku do të mbledh sot pasdite kryesinë e partisë së tij.

Kjo është konfirmuar nga nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri.

Ai tha se mbledhja është thirrur për në ora 16:00, por që ai vetë s’mund të jetë prezent në të.

“Po sot është thirrur mbledhja e kryesisë në ora 16:00. Unë nuk mund të jem pjesë e kësaj mbledhje, pasi nuk ndodhem në Kosovë”, tha Muhaxheri për Reporteri.net.

Mbledhja e kryesisë së LDK-së vie një ditë pas letrës së Kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit në drejtim të Lumir Abdixhikut për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

Kurti për takimin me Abdixhikun kishte caktuar dy orare, më 9 prill në ora 15:00, dhe 10 prill në ora 09:00 ose 14:00.

“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00”, thuhej në letrën që Kurti ia ka dërguar Abdixhikut.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka caktuar 15 prillin si datë ku do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit.

NGA KATEGORIA