Përfaqësuesit e rajonit të Rugovës i kanë dërguar një letër Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga ligjvënësit që të mos e ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi. Ata kërkojnë formimin e një komisioni i ri qeveritar ku do të jenë anëtarë dhe përfaqësues të brezit kufitar.
Përfaqësuesit e rajonit të Rugovës i janë drejtuar me një letër Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të mos ratifikohet Marrëveshja me Malin e Zi për Demarkacionin e kufirit.
Në një takim të përbashkët në emër të komunitetit rugovas ata kanë nënshkruar letrën të cilën ia kanë drejtuar sidomos deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku kanë arsyetuar pse nuk duhet të ratifikohet Marrëveshja dhe pse nuk do ta pranojnë rugovasit.
Në këtë letër, një kopje të së cilës e posedon gazeta “Zëri”, ata kanë kërkuar të mos ratifikohet Marrëveshja duke u bazuar në interesat lokale dhe nacionale të rugovasve, të drejtën e pakontestueshme historike, të drejtën pronësore, juridike e kadastrale të territorit të tyre shumëvjeçar, duke u bazuar në metodologjinë e gabuar të verifikimit të fakteve. /Zëri/