Ermir Lenjani, mesfushori i Kombëtares, nuk po kalon momente të mira në kampionatin e Francës
Ermir Lenjani gjatë verës vendosi të qëndronte te skuadra e Rennesit në Francë, edhe pse hapësirat për të kanë qenë minimale.
Trajneri i ekipit, Kristian Gurkuf, nuk e ka grumbulluar fare Lenjanin për takimin e sotëm ndaj Monacos, duke e dërguar të aktivizohet me ekipin rezervë.
Minutat e pakta në dispozicion i kanë shkaktuar Lenjanit humbjen e vendit të titullarit në kombëtaren shqiptare, teksa në ndeshjen e fundit ndaj Maqedonisë, trajneri De Biasi preferoi si titullar Jahmir Hykën.
Por, në rast se lojtari i krahut të majtë do të bëhet vizitor i shpeshtë i rezervave të Rennesit, ai mund të rrezikojë edhe grumbullimin në kombëtare, duke qenë se trajneri i kuqezinjve njihet për dorën e hekurt ndaj futbollistëve që nuk kanë hapësira aktivizimi në klubet e tyre.