Pamje nga vendi i shpërthimit në një kolegj privat në Prishtinë. Foto: KlanKosova
Një person është lënduar si pasojë e një shpërthimi që ka ndodhur në një objekt në rrugën “Kadri Zeka”, sot në Prishtinë.
Flora Ahmeti, zëdhënëse në Policinë e Kosovës për Prishtinën ka pohuar se shpërthimi ka ndodhur rreth orës 16:30.
“Sot rreth orës 16:30, kemi pranuar informatën për një shpërthim në një objekt në rrugën ‘Kadri Zeka’ në Prishtinë. Si pasojë e shpërthimit, lëndime ka pësuar një person i cili është dërguar për tretman mjekësor.”- ka thënë Ahmeti.
Ajo tha se Policia në koordinim me prokurorinë po kryejnë veprimet e nevojshme lidhur me këtë ngjarje.
Për Klankosova.tv, Ejup Govori, mjek kujdestar në Klinikën Emergjente, ka thënë se një person ka marrë tretman mjekësor, duke thënë se nuk mund të japë më shumë detaje për rastin në fjalë .
“Një person ka marrë tretman mjekësor pasi kishte lëndime të lehta trupore, dhe është në gjendje stabile.”
Klankosova.tv ka mësuar se shpërthimi ka ndodhur në kolegjin privat në Prishtinë, “Heimerer”.