Kryetari i Grupit Parlamentar dhe nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj ka deklaruar se deputetët i dhanë një zgjidhje juridike e ligjore Trepçës, duke e shpëtuar nga likuidimi e falimentimi.
Ai ka thënë se janë kujdesur që të mos ndodhë ndonjë befasi e keqe për Trepçën, duke mos lejuar që qeveria të kontrabandojnë nene të dyshimta të cilat do të interpretoheshin sipas tekave të ndryshme.
“Trepça do të mund të rifillojë të mbajë barrën kryesore të zhvillimit ekonomik për Kosovën. Sot në orët e mëngjesit Kuvendi i Kosovës, deputetët i dhanë një zgjidhje juridike e ligjorë Trepçës, duke e shpëtuar nga likuidimi e falimentimi”, ka thënë Lekaj në një deklaratë.
“Jemi kujdesur që të mos na ndodhë ndonjë befasi e keqe për të, nuk kemi lejuar që qeveria të kontrabandojnë nene të dyshimta të cilat do të interpretoheshin sipas tekave të ndryshme”.
“Ashtu siç kemi qenë bashkë me qytetarët, gardian të idesë, që Trepça duhet t’i takojë Kosovës dhe qytetarëve të saj, do të vazhdojmë të angazhohemi edhe në të ardhmen që të ketë trajtim të veçantë, duke insistuar që qeveria si aksionar të sjellë pa shumë vonesa ide e plane konkrete për funksionalizimin e plotë të Trepçës”, ka thënë Lekaj.
Më tej ai ka thënë se “Trepça e ka mundësinë ta mbajë barrën kryesore të zhvillimit ekonomik për vendin. Mjerisht deri tani ka qenë barrë për Kosovën, jo për fajin e vet, por për fajin e neglizhencës së qeverisë”.

















