Lekaj thotë se Kosova është në rrezik: Qeveria tentoi t’i marrë në kontroll të plotë BQK-në e Trustin

E publikuar: 17/05/2023 13:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka folur për kthimin në pikën zero të zgjedhjes së Guvernatorit të Bankës Qendrore, mos emërimit të Bordit të Trustit Pensional, e për ministritë që janë me ushtrues detyre të sekretarit.

Ai thotë se qeveria ka dështuar në menaxhim publik dhe se veprimet me BQK-në e Trustin do t’i kushtojnë Kosovës.

“Se Qeveria ka dështuar në menaxhim publik, tregojnë faktet dhe raportet e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Politika dhe mos veprimet e kësaj legjislature nëpër Ministri dhe institucionet bazë siç janë BQK dhe Trusti, e shumë të tjera, është tendencë dhe plan i gabuar që do t’i kushtojë shumë shtetit të Kosovës”, vlerëson deputeti i AAK-së.

Sipas Lekajt, Qeveria ka tentuar t’i marrë në kontroll të plotë këto institucione dhe ka bërë shkelje ligjore e emërime që i lënë jashtë funksionit këto institucione.

“Ne mendojmë që Qeveria ka tentuar që t’i marrë në kontroll të plotë këto institucione, dhe gjatë rrugës ata përveç që kanë bërë shkelje ligjore edhe kanë sjellë tollovi në emërime të brendshme të bordeve dhe udhëheqësve, e që realisht kanë lënë pa kompetenca dhe jashtë funksionit Trustin e BQK-në. Me këto veprime, Kosova përveç që nuk është zhvilluar, ndjehet edhe e rrezikuar nga destabiliteti ekonomik e financiar”, potencon deputeti për Gazeta Blic.

Ai shton se dikush duhet të marrë përgjegjësi për këto dëme.

“Dikush duhet ta marrë këtë përgjegjësi për këto dëme, por Qeveria po e ka shumicën dhe ka krijuar monopol të udhëheqjes qeveritare, duke bërë kështu që të mos ketë përgjegjshmëri dhe pasoja institucionale”, deklaron Pal Lekaj.