Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka dalë me një propozim për tejkalimin e ngërçit aktual politik.
Ai ka kërkuar nga liderët e të gjitha partive politike formimin e një qeverie kalimtare me mandat 6-8 mujor.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo qeveri do të menaxhonte vendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
“1. Të nderuar kryetarë të partive politike parlamentare, situata politike e krijuar pas zgjedhjeve të fundit paraqitet e ndërlikuar dhe me potencial për të prodhuar vetëm zgjidhje afatshkurtra. Në mënyrë që të mos i lodhim qytetarët tanë me përplasje dhe bllokada politike që burojnë nga mospajtimet ndërpartiake, propozoj një zgjidhje të përbashkët dhe gjithëpërfshirëse: Formimin e një qeverie kalimtare me mandat 6-8 mujor, e cila do të kishte për detyrë të menaxhojë vendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, të cilat do të organizoheshin në fund të muajit nëntor ose në fillim të dhjetorit. Kjo datë do të përkonte me përfundimin e mandateve të kryetarëve të komunave, si dhe do të ishte një hap drejt afërsimit të zgjedhjeve për presidentin e vendit”, ka shkruar Lekaj.
Ai ka treguar përfitimet që do t`i kishte Kosova nga ky propozim.
“Kjo do të ishte një mundësi ideale për organizimin e një “pakete zgjedhore 3-në-1”, ku qytetarët me një dalje në votime do të zgjidhnin: 1. Përbërjen e re të Kuvendit dhe qeverinë e ardhshme, 2. Presidentin e ri të vendit, 3. Kryetarët e komunave. Një qasje e tillë do të sillte përfitime të shumta: Reduktim të kostove buxhetore, kursim kohe për qytetarët dhe institucionet, rritje të besueshmërisë dhe legjitimitetit të institucioneve. Ky është një propozim që kërkon maturi politike, përgjegjësi dhe vullnet për zgjidhje, e jo për thellim të krizës”, ka shkruar Lekaj.


















