Lekaj godet anëtarët e Komisionit për Demarkacion, i quan ‘bisha para ngordhjes’

E publikuar: 08/08/2016 22:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka reaguar ndaj Komisionit Qeveritar për Demarkacionin kufitar me Malin e Zi, pas komunikatës së tij të fundit rreth procesit të Demarkacionit.
“Komisioni i Muratit i mbështetur edhe nga disa “Murata” të tjerë, nuk janë asgjë më shumë se disa të mjerë që po ulërijnë për t’i dhënë tokën e Kosovës, Malit të zi”, ka shkruar Lekaj në Facebook.

“Një shprehje popullore thotë “bisha para ngordhjes, gjuan me shkelmat e fundit”. Këta “Muratat” e komisionit dhe të qeverisë, duke e parë se gjithnjë e më shumë po demaskohen dhe po del sheshit e vërteta, se janë grebatorë, që duke e keqpërdorur paranë e Kosovës kanë punuar kundër interesave të saj, janë ngritur si hienat me disa kinse argumente, jo kadastri i 1991 jo harta e 2008 jo marrëveshja e Kumanovës e çka jo tjetër, vetëm e vetëm që të shpëtojnë nga ajo çka i pret. Ndjekja penale, sipas ligjeve e kushtetutës së Kosovës. Me akuzën për falsifikim të dokumenteve me synimin për tjetërsim e falje të tokës së Kosovës vendeve tjera”, thuhet në shkrimin e Lekajt në rrjetin social.

“”Muratat” e qeverisë dhe të komisionit se duan këtë të vërtet, sepse ju duket e pakëndshme, e si zë gjumi natën, prandaj kërkojnë që dikush t’ua thotë atë që kanë deshirë me ndegju vetëm këta dhe pastaj asaj t’i vënë emrin e vërtetë”, përfundon shkrimi i Lekajt në Facebook.