Ai këtë vikend ishte në Tiranë për të mbajtur disa koncerte që ai i quan “club shoë”, por në të njëjtën kohë Ledri ka folur edhe për këtë zënkë.
Në një intervistë që ai e ka dhënë për emisionin e TV Klan “Jo vetëm modë”, Ledri thotë se ai nuk është një psikiatër që të merret me problemet psiqike të Bluntit.
“Por, çfarë probleme psikike ka unë nuk e di se unë psikiatër s’jam”, ka thënë Ledri në këtë intervistë.
Ai po ashtu ka folur edhe për Bluntin për të cilin ka pasur fjalë të mira.
“Blunt është njëri prej DJ’ve më të mirë në Kosovë dhe ashtu e cilësojë, sidomos më përpara”, ka thënë ai.
Në këtë intervistë Ledri ka folur shumë edhe për koncertin e 17 shkurtit me Rita Orën por edhe për lidhjen e tij me Dua Lipën me të cilën është parë disa herë nëpër disa fotografi.
Ledri po ashtu ishte gjatë vikendit i ftuar edhe në një emision tjetër, ku po ashtu ka folur për zënkën e tij me DJ Blunt.
“Nuk më intereson fare sherri. Nuk më intereson përse më është përmenduar emri, ata e kanë bërë edhe me njerëz të tjerë këtë gjë. U bë e madhe sepse ata më përmendën mua. Nuk më interesojnë këto luftërat e rreperave. Më është dukur një gjë pavlerë, që u harrua në krye të tre ditëve. Nuk ishte ndonjë çudi e madhe. Unë jam njëri shumë i shoqërisë dhe më pëlqen të fokusohem vetëm tek muzika. Asgjë tjetër”, ka thënë Ledri në emisionin tjetër, kësaj radhe të PopCulture të Top Channel.
“Kam menduar që në të ardhmen të bëj një koncert timin. Më ka rënë rasti që të performoja në koncertin e pavarësisë së Kosovës. Ishte ndjenjë e mrekullueshme. Edhe koncertin tim do të preferoja ta organizoja në këtë mënyrë. Janë emocione të mëdha”.
Në këtë intervistë Ledri po ashtu ka folur për lidhjen e tij me vajzat që përflitet nëpër media.
“Mua ma rrëmbejnë zemrën shumë gjëra jo vetëm vajzat. Më pëlqen e bukura. Unë jam djalë i vetëm në familje dhe mendoj shpesh që të krijoj familjen time, por një gjë e tillë duhet të presë edhe disa vite. Mua mediat shpesh më martojnë, fejojnë dhe ndajnë. S’më pëlqen fare kjo pyetja nëse kam të dashur”, ka thënë ai.
Ledri ka folur edhe për çmenduritë që bëjnë fansat për të. “Fanset kanë bërë disa çmenduri për mua. Kanë arritur deri aty sa të djegin dorën për të shkruar emrin tim. Pas kësaj, gjë e cila s’më ka pëlqyer, i kam takuar për të mos e përsëritur më. Fanset e mia janë mjaft të edukuara, e mua më pëlqen ti takoj”.
Krejt në fund të të dy intervistave Ledri ka paralajmëruar këngë të reja për publikun e tij.
Ledri rrëfeu se tashmë është në fazën e përgatitjes së projekteve të reja muzikore, të cilat do t’i lançojë së shpejti.

















