‘Le Monde” ka publikuar një investigim në lidhje me MAFIA-n në Ballkan, të cilën e quan mjaft të fuqishme për shkak të lidhjeve me vetë Shtetin. Rémy Ourdan, një gazetar francez është autori i shkrimit në fjalë që zbulon lidhjet e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe të Milo Gjukanoviç me grupet e Malit të Zi. I dërguar special në Beograd (Serbi), Podgoricë, Budva dhe Kotor (Mali i Zi), Ourdan ka arritur të përmbledhë kronologjinë e grupeve kriminale në Ballkan që vijojnë të jenë edhe sot në Ballkan. Por, çuditërisht, sipas tij, disa banda mjaft të fuqishme janë rrëzuar nga vetë shteti.
SHKRIMI I PLOTË:
Që nga rënia e komunizmit dhe luftërave në ish-Jugosllavi, mafia ballkanike është rritur aq shumë saqë tani konsiderohet si një lojtar kryesor në krimin e organizuar ndërkombëtar. Bandat serbe, malazeze dhe shqiptare, të cilat filluan të lulëzojnë tre dekada më parë nga trafikimi i armëve dhe i cigareve, tani janë në zemër të Amerikës së Jugut ku mbërrin kokaina nga Evropa. Ata gjithashtu trafikojnë heroinë dhe prodhojnë marihuanë dhe drogë sintetike. Përfitimet e tyre janë kaq të mëdha, sa kanë investuar një pjesë të madhe në ekonominë e ligjshme.
“Gjeopolitika e Mafieve”
Grupet serbe dhe malazeze kanë marrë në dorë trafikun e drogës nga Amerika e Jugut, duke u bërë lojtarë kryesorë në krimin e organizuar në Evropë. Një rritje në pushtet është arritur prej lidhjeve me qeverinë, përpara se të shpërthente një luftë vrastare mes klaneve.
Arsyet e shpërthimit të dhunës në vitet e fundit mes gangsterëve nga Serbia dhe Mali i Zi nganjëherë mbeten misterioze. Të shtënat në kafene, shpërthime makinash, kufoma të gjetura në rrugët e Beogradit, Kotorrit ose Podgoricës, për të mos përmendur një numër të panjohur të personave të zhdukur: shtatë vjet luftërash bandash, vrasje dhe hakmarrje kanë lënë të paktën pesëdhjetë të vdekur.
Shkaqet kryesore janë të njohur, janë dy ngjarje, që ndodhën në vitin 2014. Nga njëra anë, zhdukja e të paktën 200 kilogramëve kokainë në portin spanjoll të Valencia filloi të ndante kartelin e udhëhequr nga Darko Saric dhe shënoi shpërthimin e “Luftës së Kotorrit”, mes dy bandave rivale, klanit Skaljari dhe klanit Kavac. Nga ana tjetër, arrestimi i vetë Saricit ka shkaktuar një luftë pasardhëse midis njerëzve të tij më besnikë – të cilët drejtojnë perandorinë e tij ndërsa ai është në burg – dhe njerëzve ambiciozë që ëndërrojnë për më shumë autonomi dhe përfitime.
Lufta e bandave mori vrull të mëtejshëm dy vjet më vonë, në vitin 2016, pas vrasjes së Aleksandar Stankoviç, i njohur si “Sale Mutavi” udhëheqësi i bandës së Jeniçerëve, e formuar nga mbështetësit më të egër (ultras) të klubit të futbollit të Beogradit, “Partizani”. Tradicionalisht, në Serbi, grupet e ultra janë një terren ushqyes për botën e nëndheshme, siç ishin për milicinë paraushtarake gjatë luftërave të viteve 1990.
Ikona e kësaj bote paralele, gjatë sundimit të presidentit dhe kryekomandantit Slobodan Millosheviq (1989-2000), ishte Zheljko Raznatovic, i njohur si “Arkan”, udhëheqës i mbështetësve të Yllit të Kuq, klubit tjetër të futbollit në Beograd, atëherë njiheshin si Tigrat e Arkanit, një grup paramilitar që punoi me urdhër të policisë sekrete serbe. Arkani, i akuzuar njësoj si Millosheviq për krime kundër njerëzimit nga drejtësia ndërkombëtare, u vra në hotelin Intercontinental në Beograd, pak para rënies së Presidentit serb, nga një vrasës i cili, si ai, kishte një armë mafioze në njërën dorë dhe një simbol policie në tjetrën.
Nëse kriminelët e Shqipërisë fillimisht e morenn ndikimin e tyre nga lidhjet e krijuara me mafiet italiane, ata të Serbisë dhe Malit të Zi kanë fillimisht një “pasuri” origjinale, e cila mund të gjendet në këtë nivel vetë në Rusi: lidhja e tyre e ngushtë me Shtetin. E ndërtuar në kohën e komunizmit nga policia sekrete jugosllave, e përforcuar në kohën e luftërave nga shërbimet sekrete të Millosheviqit, kjo lidhje mbetet jashtëzakonisht e fortë. Ekspertët madje pyesin veten nëse Serbia dhe Mali i Zi mund të përshkruhen si “shtete mafioze” dhe, duke pasur parasysh fuqinë financiare të fituar nga bota e krimit të organizuar, nëse ende janë gangsterë ata që janë në shërbim të shtetit, apo nëse tani janë këta të dy shtete që janë në shërbim të gangsterëve.
Në Serbi mund të vihen re tre periudha të ndryshme.
“Millosheviçi ishte kumbari i kriminelëve dhe i paraushtarakëve. Më pas, në vitin 2000, kryeministri Zoran Xhinxhiç tentoi të rregullonte problemin, kështu që ata e vranë në vitin 2003,”- thotë Vuk Cvijiç, një gazetar investigativ i revistës Nin.
Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, mes viteve 2000 dhe 2012, teksa kishte akoma korrupsion, nuk kishte një lidhje mes qeverisë serbe dhe krimit të organizuar, mendon gazetari. Dy operacione të mëdha policore u zhvilluan në atë kohë, në bashkëpunim me shërbimet e huaja dhe Interpolin: Operacioni Sabre, kundër Klanit të Zemunit dhe vrasësve të Xhinxhiçit, në vitin 2003 dhe Operacioni Luftëtarët e Ballkanit, kundër kartelit të Darko Sariç, në vitin 2009.
“Sot, me mbështetjen e Presidentit Aleksandër Vuçiç, shteti dhe mafia janë duke bashkëpunuar sërish me njëra-tjetrën deri në atë pikë sa nuk mund të bësh dallimin mes tyre. Dikush mund të pyesë nëse mafia është bërë më e fortë se shteti,”- thotë Vuk Cvijiç.
Në Malin e Zi, historia është e ndryshme sepse i njëjti njeri, Milo Djukanovic, ka qenë në pushtet që nga rënia e komunizmit në 1991.
“Gjukanovic është shefi. Të gjitha klanet malazeze kanë të njëjtin punëdhënës: Presidentin e vendit,”- pretendon Jovo Martinoviç, një gazetar i famshëm i cili ka hetuar krimin e organizuar për njëzet vjet.
“Dallimi me Amerikën Latine është se Pablo Escobar ishte një gangster që vepronte kundër shtetit. Në Mal të Zi, Pablo është president…,”- shton ai.
Marrëdhëniet e ngushta mes pushtetit politik dhe krimit të organizuar janë të vështira për t’u provuar, edhe nëse ndonjë hetim shkon deri te ndonjë ministër apo biznesmen. “Lidhja organike tradicionalisht kalon përmes shërbimeve sekrete,”- thekson një diplomat europian, që prej kohësh e njeh si funksionon Serbia dhe Mali i Zi.
“Trafiku orkestrohet nga qeveritë e Malit të Zi dhe Serbisë. Shumë kriminelë kanë distinktivët e policisë ose shërbimit sekret. Dy presidentët punojnë bashkë dhe kanë interesa të përbashkëta,”- shton Jovo Martinoviç.
Ekspertët tregojnë gjithashtu rolin, së bashku me secilin president, të vëllezërve të tyre përkatës, të cilët drejtojnë çështjet familjare. Andrej Vuçiq, në Beograd dhe Aco Gjukanovic, në Podgoricë, luajnë kështu një rol kryesor në kryqëzimin midis politikës, biznesit dhe parave të pista.
“Droga është një gjë,”- thotë diplomati,-“Por Gjukanovic pa dyshim që e ka ndërtuar pasurinë e tij edhe më shumë me privatizimet më shumë se sa me trafikun. Vëllai i tij Aco është një miliarder.”
“Askush në skenën ndërkombëtare nuk e di se si të merret me çështjen e krimit të organizuar në Serbi dhe Mal të Zi,”- thotë Stevan Dojcinovic, një hetues i faqes serbe të hetimit Krik,- “Sepse askush nuk e kupton thelbin e problemit: nuk është një problem i korrupsionit të individëve, është një sistem shtetëror. Ky ishte rasti në kohën e Millosheviqit dhe vazhdon me Vuçiqin dhe Gjukanoviçin. Është një operacion shtetëror që është e vështirë të vërtetohet.”
Drejtësia italiane, e cila ka tentuar disa herë të provojë lidhjet mes politikanëve dhe kriminelëve në Ballkan, veçanërisht në rastin e Milo Gjukanoviç, në çështje që lidhen me mafian e saj, ka ‘thyer dhëmbët’ këtu. Drejtësitë e vendeve të tjera nuk kanë shkuar kurrë përtej disa trafikantëve të njohur. Ata që kanë hetuar krimin e organizuar në ish-Jugollavi prej kohësh, besojnë se meqë në këto raste është i përfshirë shërbimi sekret, shërbimet e tjera të inteligjencës në SHBA dhe Europë, i mbrojnë ata në shkëmbim të informacioneve, madje edhe përmes marrëveshjeve politike.
Një galaktikë kaotike
“Perëndimi po tenton që të sjellë Serbinë në Europë, teksa Aleksandër Vuçiç ka lidhje të ngushta me Moskën dhe marrëdhënie shumë të mira me Pekinin. Dhe Milo Gjukanoviç ka qenë historikisht lideri më pro-perëndimor, më pro-BE dhe më pro-NATO në rajon,”- analizon një diplomat europian. “Në emër të gjeopolitikës, ne po e bëjmë një sy qorr për aktivitetet e paligjshme në këto shtete të brishta,”- vijon ai./KohaMK

















