Shtatë vjet mbas shpalljes së pamvarsisë dhe mbikqyrjes nga Bashkimi Europian, Kosova asht debakël, – ka thanë për “Le Monde Diplomatique” Andrea Capussela, i cili deri në Prill 2011 ishte Drejtor i Njisitit Ekonomik në Zyrën Civile Ndërkombëtare në Kosovë, ICO.
Situata asht ma e keqe se përpara ardhjes së misionit të BE’s, – thotë eksperti italian, që sapo ka botue nji libër me kritika të ashpra kundër politikës europiane në Ballkan. Simbas tij, kjo situatë përfshin jo vetëm investimin e Bashkimit Europian në Kosovë – në ma shumë se 4 miliardë euro vetëm gjatë periudhës 1999-2003, por edhe kredibilitetin e politikës së jashtme.
Kështu thuhet në nji artikull të gjatë të francezes “Le Monde Diplomatique” kushtue Kosovës, me titull: “Dështimi i Misionit Europian në Kosovë”.
Mbas ndërhymjes ushtarake të NATO’s, vendin e kanë marrë kriminelët, – shkruhet në artikull, derisa citohen zyrtarë që kanë shërbye në misionet ndërkombëtare në Kosovë, tue thanë se “Shefat tanë u shtruen me mafiozat”.
Pamvarsisht patronazhit të BE’së, – vazhdon ma tej artikulli i autores Ana Otasevic në “Le Monde Diplomatique” – Kosova nuk ka ba përparime dhe korrupsioni asht përhapë deri në misionin ndërkombëtar për sundimin e ligjit, EULEX.
I themeluem në Fror të vitit 2008, EULEX synon forcimin e institucioneve gjyqësore dhe policore me nji financim vjetor prej 111 milionë euro dhe me nji staf prej 1600 personash. Por shumë nga zyrtarët e naltë janë të dyshuem për korrupsion, derisa vetë institucioni asht akuzue për fshehjen e këtyne abuzimeve, – shkruen gazeta, tue citue edhe prokuroren britanike Mariah Bamieh, e cila thotë se prej ma shumë se nji viti, Misioni jo vetëm që e ka varrosë, por edhe e ka kompromitue hetimin.
Ma tej, shkrimi trajton edhe ikjen emigrimin masiv të rreth 100 mijë kosovarëve drejt vendeve të BE’s vetëm gjatë këtij viti, derisa citohen autoritetet serbe, simbas të cilave, 60 mijë shqiptarë të Kosovës kanë aplikue për me marrë pasaportë serbe pikërisht për shkak të izolimit të vendit dhe kushteve të vështira ekonomike.