LDK: S’do të lejojmë asnjë qeveri të rrezikojë themelet e shtetësisë

E publikuar: 30/05/2023 17:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Lumir Abdixhiku FB

Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës po i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të zgjedhë maturinë politike para, siç thotë, popullizmit afatshkurtër.

Kjo, siç thuhet në një deklaratë për media, vjen pasi LDK thotë se ka ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim gjithë ngjarjet e ditëve të fundit në veri të vendit.

Nga kjo parti shprehen se në vend të euforisë së grupeve partiake, qeveria të zgjedhë rrugëtimin e vendosur euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët.

“Arritjet historike të Kosovës, nga angazhimi ynë për liri, pavarësi e demokraci e deri te përpjekjet e deritanishme për forcimin e shtetit, kanë shenjën e koordinimit dhe ecjes së përbashkët me aleatët tanë. Devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë. Përjashtimi i Kosovës nga ‘Defender 2023’ është hap në këtë drejtim”, thuhet në kumtesën për media.

Tutje, partia e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku thekson se “nuk do të lejojë, për asnjë çmim, asnjë politikan e asnjë Qeveri, të rrezikojë themelet e shtetësisë”.