Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për menaxhimin e vaksinimit të popullatës kundër COVID-19.
Në një komunikatë për media, LDK po thotë se situata me pandemi është jashtë kontrollit të Qeverisë dhe se Kosova është e fundit në Europë me përqindjen e të vaksinuarve, njofton Klan Kosova.
“Në kohën kur numri i rasteve me COVID-19 ishte i vogël e terminë për vaksinim kishte mjaft – Qeveria nuk bëri asgjë për të sensibilizuar opinionin për rëndësinë jetike të vaksinave. Sot, kur janë shënuar mbi 1000 raste të infektimit dhe gjendja është alarmante – nuk ka terminë të lirë për vaksinim”.
LDK po ashtu kritikoi institucionet qeveritare se dështuan në sensibilizimin e qytetarëve për të marrë vaksinën.
“Vetëm 10% e popullsisë së Kosovës janë të vaksinuar, sot. Jemi të fundit në Evropë. Mungesa e terminëve e pushimet gjatë vikendeve – në gjendje alarmante të pandemisë – është shenjë se Qeveria s’ka as idenë e as vullnetin të bëjë më mirë. Kosova po rrezikon të shkojë drejt mbylljes totale për shkak të keqmenaxhimit të sistemit të vaksinimit dhe për shkak të dështimit në sensibilizimin e popullatës për rëndësinë dhe domosdoshmërinë e vaksinimit”.
Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron që një mbyllje tjetër eventuale për shkak të rritjes enorme të numrit të rasteve me COVID-19 do të ishte fatale për ekonominë e Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.



















