Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me anë të një komunikate e ka cilësuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) si e arritura më e madhe e Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE.
“Nënshkrimi i sotëm tregon se Qeveria e Kosovës i ka plotësuar në afat rekord të gjitha kriteret e përcaktuara nga Komisioni Evropian.
“LDK-ja si pjesë e Partive Popullore Evropiane po jep kontribut të fuqishëm për zbatimin e reformave të brendshme dhe për zgjerimin e miqësive me vendet anëtare të BE, shumica e të cilave udhëhiqen nga EPP,” thuhet në kumtesën e LDK-së, njofton Klan Kosova.
Më tej, LDK-ja këtë sukses ia ka adresuar kryeministrit Isa Mustafa dhe e vlerëson këtë marrëveshje si potencial për investitorët.
“Puna e suksesshme e qeverisë e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa po jep frytet e veta në procesin integrues dhe shumë shpejt pritet që të marrim lajme pozitive edhe për procesin e liberalizimit të vizave.”
“Përveç perspektivës evropiane, MSA është një sinjal shumë i qartë tek partnerët ekonomikë ndërkombëtarë të Kosovës dhe investitorët potencial, për të ardhur dhe për të investuar në Kosovë.”
“LDK-ja dhe Grupi i saj parlamentar do të japin kontribut që MSA të miratohet në Kuvendin e Kosovës sa më shpejt që është e mundshme,” përfundon kumtesa e LDK-së, njofton Klan Kosova.
Fjalë kryesore: BE, Isa Mustafa, Kosova, MSA
















