Xhafer Tahiri, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se realizimi i buxhetit në pjesën e parë të vitit është vetëm 9% dhe më i ulëti në 10 vjetët e fundit.
Në një konferencë për media ai ka thënë se paaftësia e Qeverisë po shihet në raportin 6-mujor të shpenzimeve kapitale.
“Ky mosefikasitet i Qeverisë në mosrealizim të projekteve kapitale po përkthehet me rënie ekonomike, zvogëlim të numrit të vendit të punës, rritje të varfërisë, dëmtim zinxhiror në të gjitha fushat e kapluara nga kriza”.
“Është skandal i madh që katër ministri të Qeverisë e kanë zero përqind realizimin e buxhetit për investime kapitale në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022”.
Tahiri tha se ka zero përqind realizim të projekteve dhe se Ministria e Ekonomisë nuk e ka realizuar fare buxhetin.
“ME ka realizuar buxhetin në masë prej 0%. Është paradoksale se si ME zgjedh të mos realizojë asnjë investim kapital të paraparë. Ekonomia nuk e duron populizmin sepse gjithçka që shumëzohet me zero, zero mbetet”.
Ministri të tjera sipas Tahirit me realizim 0% të buxhetit për investimeve kapitale janë edhe MINT dhe MAPL.
Kurse, Jehona Lushaku nga LDK ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ka realizuar më pak se 10% të investimeve kapitale.
“Nga 53 milionë euro të dedikuara për investime në Ministrinë e Mbrojtjes ajo ka realizuar vetëm 2 milionë nga to. MSH-ja ka arritur t’i realizojë vetëm 10% të investimeve kapitale (rreth 450.000 nga mbi 10 milionë)”, tha ajo.