Koalicioni PDK- LDK nuk e ka ndërmend që të ndalen në sistemin e njerëzve politik nëpër bordet e ndërmarrjeve publike. Ishte bordi i Ndërmarrjes “Ibër Lepenci”, ku dy partitë e koalicionit sërish dërguan njerëzit e tyre.
Gazeta Blic qysh para disa ditësh ka paralajmëruar sistemin e militantëve partiak në këtë bord.
Mirëpo, kësaj radhe LDK u tregua më e fuqishme sesa PDK.
PDK përpos djalit të Sami Lushtakut, nuk ka arritur që të sistemoj dikë tjetër në këtë bord, derisa shumicën i ka quar LDK-ja.
Shefja e stafit të Kryeministrit të Kosovës, Vlora Dumoshi e ka çuar për anëtare të Bordit të kësaj ndërmarrjeje motrën e vetë, Albiona Maloku.
Nuk është hera e parë që Vlora Dumoshi e kishte sistemuar motrën e vetë në institucione. Edhe gjatë kohës sa ishte drejtoreshë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunë të Prishtinës, Albiona Maloku kishte fituar pozitën e Kryesuese së Bordit të Drejtorëve në ndërmarrjen “Trafiku Urban”.
Ajo ishte shkarkuar nga ky Bord, për shkak të performancës së dobët.
Sipas burimeve të Gazetës Blic edhe Imer Hamiti vjen nga radhët e LDK-së. Ai është i afërt i Isa Mustafës nga Prapashtica, i cili ishte kryesues i Bordit të ndërmarrjes “Termokos” gjatë qeverisjes së Isa Mustafës në Prishtinë. Edhe ky u shkarkua për shkak të performancës së dobët në këtë ndërmarrje.
Fatos Sahiti i emëruar në Ibër Lepenc, aktualisht është këshilltar në ministri të Tregtisë dhe Industrisë, e cila udhëhiqet nga LDK-ja.
Ejup Visoka ka qenë anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Podujevë që nga themelimi i LDK-së. Visoka ishte larguar një kohë nga kjo parti dhe ishte kthyer me një pritje solemne nga dega e LDK-së në këtë Podujevë.
Mehdi Jonuzi ka qenë kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Mitrovicës në zgjedhjet e fundit lokale të nëntorit të 2013-ës.
Ndërkaq, dje ishte raportuar edhe për zyrtarë të PDK-së në këtë bord. Ndër ta edhe djali i Sami Lushtakut, Mërgimi./Gazeta Blic