LDK mbështet votimin për angazhimin e FSK-së në misione jashtë vendit

E publikuar: 05/01/2021 12:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) po e mbështetë kërkesën e Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për lejimin e angazhimit të Ushtrisë së Kosovës në Misione Paqeruajtëse në kuadër të ushtrive më të fuqishme të botës. Kështu ka bërë të ditur, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Ai ka shkruar se është i bindur që secili ushtar i Kosovës do ta nderojë atdheun dhe flamurin e që do të kthehen faqebardhë në Kosovë.

“E nisim vitin me një lajm fantastik! Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës e mbështetë kërkesën e Qeverisë që Parlamenti të mbajë, sot, seancë të jashtëzakonshme, për lejimin e angazhimit të Ushtrisë së Kosovës në Misione Paqeruajtëse në kuadër të ushtrive më të fuqishme të botës. Jemi të bindur se secili ushtar i Kosovës do ta nderojë atdheun dhe flamurin tonë, dhe Kosovës do t’i kthehet faqebardhë!”, ka shkruar Gashi.

Ndërsa ditë më parë, Gjenerallejtënant, Rrahman Rama në intervistën dhënë për KosovaPress ka treguar se Forca e Sigurisë së Kosovës në pranverë të këtij viti pritet t’i bashkohet ushtarëve amerikanë në misione paqeruajtëse.

Kurse Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për bashkë-dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione jashtë vendit me Gardën Kombëtare të Iowa-s.