Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar për debatin e fundit rreth marrëdhënieve të ftohura Kosovë-Shqipëri, debatin mbi të cilat e nxiti një fotografi e shkrepur gjatë takimit të mbajtur dje në Greqi në kuadër të Samitit SEECP, e cila është shpërndarë nga presidentja e vendit Vjosa Osmani, e ku kryeministri shqiptar shihej më i distancuar krahas liderëve të tjerë.
Kjo foto u shpërnda më pas edhe nga zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, në një postim të bërë nga një qytetar e ku Edi Rama cilësohej si pro-serb.LDK vlerëson se Kosova nuk e ka luksin për t’u përçarë me Shqipërinë, si asnjë herë më parë në demokraci.
Në reagimin e LDK-së thuhet se faktori politik në vend duhet të mendojë jo vetëm për strategji të posaçme për kultivimin e këtij bashkëpunimi, por edhe të detajeve, si prezantimi i përfaqësuesve të dyja vendeve, në paraqitje vizuale.
“Kosova nuk e ka luksin për t’u përçarë me Shqipërinë, si asnjë herë më parë në demokraci. Ne kemi nevojë për bashkëpunim të ndërsjellë dhe ndihmë reciproke. Faktori politik në vend duhet të mendojë jo vetëm për strategji të posaçme për kultivimin e këtij bashkëpunimi, por edhe të detajeve, si prezantimi i përfaqësuesve të dyja vendeve, në paraqitje vizuale. Në të kundërtën, shenja inatesh ndërpersonale janë mesazh i keq për ne. Qytetarët e Kosovës meritojnë lidership që manifeston urtësi e tolerancë si dhe dashuri në një marrëdhënie interesash kompatibile ndërmjet dy shteteve. Liderë me kurriz të kthyer nga njëri tjetri – kjo nuk duhet të jetë fotografia jonë”, thuhet në reagim.
Në foton e cila është shpërndarë nga presidentja Osmani, ajo shihet duke buzëqeshur me kancelarin gjerman e me liderët e tjerë, por i akullt duket qëndrimi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama.