Një ditë para seancës së Kuvendit të Kosovës ku do të votohet për zgjedhjen e Presidentit, Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet një njoftimi për media ka bërë me dije se do ta respektojë marrëveshjen me PDK’në që Hashim Thaçit të jetë President. Aty thuhet se një gjë të tillë e kanë kërkuar strukturat e partisë gjatë konsultave ditëve të fundit.
Por pavarësisht se në njoftim thuhet se një qëndrim i tillë vjen edhe pas konsultimeve me Grupin Parlamentar të LDK’së tashmë është e ditur se një numër i deputetëve të LDK’së ka deklaruar publikisht se nuk do ta votojnë Hashim Thaçin për President të Shtetit.
Ja çfarë thuhet në njoftim.
Lidhja Demokratike e Kosovës, ditët e fundit, ka zhvilluar takime dhe konsulta shteruese me strukturat e LDK-së, ku është diskutuar për zhvillimet politike në Republikën e Kosovës.
Gjatë takimeve të Kryesisë së LDK-së, të Grupit Parlamentar si dhe me kryetarët e degëve të LDK-së, ka dominuar plotësisht qëndrimi dhe ka qenë konkluzion i përbashkët se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të vazhdojë me përkushtim të plotë kontributin e saj shtetndërtues në institucionet e Republikës së Kosovës.
Anëtarët e të gjitha strukturave të LDK-së, kanë kërkuar pa ekuivok nga përfaqësuesit e saj në institucionet qendrore që LDK-ja si parti me traditë të gjatë institucionale dhe me kontribut vendimtar në themelimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, t’i përmbahet parimeve të saj, duke përmbushur obligimet politike e kushtetuese të dala nga marrëveshja për krijimin e institucioneve në këtë mandat qeverisës, duke përfshirë zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, sipas kësaj marrëveshjeje.
Duke iu referuar gjendjes aktuale në vend, të gjitha strukturat e LDK-së kanë kërkuar që LDK-ja, si gjithnjë, të luaj rol konstruktiv në funksionalizmin e plotë të institucioneve të shtetit dhe krijimin e kushteve për realizimin e prioriteteve dhe objektivave nacionale.
Kryetarët e degëve, anëtarët e Kryesisë dhe deputetët e LDK-së kanë kërkuar që LDK-ja, përmes udhëheqjes së Qeverisë dhe deputetëve të saj në Kuvend të vazhdojë përkushtimin maksimal për zhvillim ekonomik, ndërtim të institucioneve demokratike dhe proceset integruese euroatlantike.
Lidhja Demokratike e Kosovës, më këtë rast, thekson përkushtimin e saj të plotë për realizimin e synimeve dhe aspiratave të qytetarëve për ndërtimin shtetit të Kosovës, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera mike.
Ky vizion nacional, sot, mund të realizohet përmes punës së përbashkët, dialogut institucional dhe në koordinim të plotë me partnerët perëndimorë dhe jo përmes veprimeve anarkiste anti-perëndimore.
Lidhja Demokratike e Kosovës pret që të premten të gjithë deputetët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës të veprojnë në përputhje me marrëveshjen politike të përkrahur nga strukturat e LDK-së, në mënyrë që t’i shërbejnë funksionalizmit të plotë të institucioneve të Kosovës.