Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media ku kanë denoncuar aferën ku u përfshi ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për punësimin e Faruk Mujkës në krye të Ibër-Lepencit dhe koordinimin me anëtaren e Vetëvendosjes, Dejona Mihali.
Bisedat e tyre se si Mujka erdhi në krye të kësaj ndërmarrje u publikuan dje nga mediumi “VOX Kosova”.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa dhe anëtari i Kryesisë, Berat Rukiqi, thanë se kjo ishte “një nga skandalet më të rënda të kësaj qeverie afera ËHATSAPP” dhe thanë se kjo është afera “që po zhvesh përfundimisht Vetëvendosjen nga mashtrimi i “duarve të pastra””.
LDK “ngriti alarmin se shteti i Kosovës po qeveriset nga grupe private në WhatsApp, ku punësimet, bordet dhe vendimet publike ndahen mes militantëve partiakë, ndërsa rinia e ndershme dhe profesionistët e kualifikuar përjashtohen”.
Ata thanë se shefi politik i kësaj strukture dhe përgjegjësi kryesor për këtë skemë është kryeministri në detyrë, Albin Kurti, “nën dijeninë dhe mbikëqyrjen e të cilit ka funksionuar kjo formë e kapjes së shtetit”.
“Ndërsa Dejona Mihaili ka vepruar si kapo operative e një strukture parapolitike, pa asnjë funksion zyrtar e shtetëror”.
LDK tha se mesazhi i VV-së për rininë është brutal: “nëse nuk je militant, nuk ke shans”, u tha në konferencë, duke theksuar se kjo qeveri ka “shndërruar institucionet në degë partie dhe shtetin në pronë private”.
Berat Rukiqi theksoi se afera WhatsApp është “kapje e hapur e shtetit, me ndërmarrje publike nën kontroll partiak, borde të dirigjuara, ushtrues detyre për interesa politike dhe pasoja të rënda për qytetarët – nga faturat e energjisë deri te humbja e besimit në shtet”.
LDK tha se kërkon hetim të menjëhershëm, transparencë të plotë dhe “çlirimin e shtetit nga qeverisja e WhatsApp-it”.
“Kosova meriton shtet ligjor, meritë dhe shpresë, jo pazare, militantë dhe errësirë. Shpresën do të ia rikthejmë vendit me 28 dhjetor!”.


















