LDK-ja përgënjeshtron Bahtirin: Po krijon lajme të rrejshme, s’ka marrëveshje me AKR-në

E publikuar: 15/11/2017 12:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati i AKR-së për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se ka nënshkruar marrëveshje koalicioni me nëntë nëndegët kryesore të LDK-së, mirëpo ky lajm del të jetë i pavërtetë.

Ish-kandidati e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Mitrovicës, Safet Kamberi, tha se ky lajm është i rrejshëm dhe se askush nga LDK-ja nuk ka nënshkruar marrëveshje me AKR-në.

“Ky nuk është asgjë më shumë se një lajm i rrejshëm që gjatë gjithë kohës Agimi ka tentuar t’ua bëjë strukturave të LDK-së”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në një takim që ka mbajtur kryesia e LDK-së, është vendosur të mos përkrahet asnjëri nga kandidatët në Mitrovicë.

“Ne në takimin e të dielës si kryesi e Lidhjes Demokratike, kemi vendosur që unanimisht të mos e mbështesim asnjërin nga partitë politike në Mitrovicë, për shkak se kemi dashur ta lëmë në vullnetin qytetar që ta përcaktojnë fituesin e kësaj gare”, ka theksuar ai.

Sipas Kamberit, për mospërkrahje të asnjërës parti në Mitrovicë është njoftuar edhe niveli qendror i LDK-së.

“Prandaj, ne me shumicë votash brenda LDK-së kemi vendosur, është i njoftuar edhe niveli qendror ku kemi pasur pajtueshmëri të plotë në lidhje me qëndrimin tonë. Andaj, përderisa ky forum është organ ekskluziv për të marrë vendime dhe për të caktuar politikat e degës në nivelin qendror”, deklaroi ai.

Më tej, Kamberi tha se kjo iniciativë e nëndegëve të LDK-së është në kundërshtim me partinë dhe gjitha këto janë vetëm tendenca për të manipuluar opinionin.

“Iniciativa e individëve për të bërë lajme se gjoja se një pjesë e nëndegëve të LDK-së mbështet këtë ose atë, nuk është asgjë tjetër veç një tendencë të manipulohet me opinionin. Qëndrimi i Lidhjes Demokratike në Mitrovicë dihet nuk mbështesim askënd nga kampet politike, ndërsa përpjekja e gjoja të disa nëndegëve për të bërë koalicion është në kundërshtim me statusin e LDK-së”, tha mes tjerash ish-kandidati i LDK-së për Mitrovicë. /Lajmi.net/