Lidhja Demokratike e Kosovës u ka bërë thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që të dalin masivisht në referendumin e ditës së diel për ndryshimin e emrit të shtetit.
“LDK-ja vlerëson se është në interesin jetik të shqiptarëve të Maqedonisë dhe në interesin e shqiptarëve kudo që janë, që shqiptarët e Maqedonisë, të dielën, të marrin pjesë masivisht në referendum dhe të votojnë pro marrëveshjes historike”, thuhet në komunikatën e tyre drejtuar mediave.
“LDK-ja u bën thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që këtë moment historik ta përdorin në interesin e tyre dhe në të mirë të së ardhmes evropiane të shtetit të tyre”, thuhet më tej, transmeton Gazeta Express.
LDK-ja vlerëson se vendi fqinj, Maqedonia, është para një momenti shumë të rëndësishëm dhe historik për të ardhmen e popujve të saj.
“Të dielën qytetarët e Maqedonisë do të vendosin për të ardhmen evropiane të vendit të tyre, për prosperitetin dhe për sigurinë e rajonit tonë”, përfundon komunikata



















