LDK-ja fton VV-në e Kurtin të ndalin fushatën, sipas saj, linçuese ndaj SHBA-së

E publikuar: 11/04/2020 16:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) përmes një postimi në Facebook, ka dënuar ashpër, siç e ka quajtur ajo “fushatën linçuese ndaj SHBA-së nga ana e militantëve të VV-së”.

“LDK dënon ashpër fushatën e ulët linçuese, e cila po zhvillohet në rrjetet sociale apo përmes deklaratave politike, e orkestruar, qoftë drejtpërdrejt përmes aktivistëve politikë apo forma tjera indirekte, ndaj aleatit të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe personaliteteve të SHBA-së”, thuhet në postimin e LDK-së në Facebook.

Sipas LDK-së, partnerit qeveritar të VV-së, fushata është e pafalshme, transmeton KOHA.

“Fryma e fushatës së tillë u instalua nga deklaratat publike të disa këshilltarëve të Kryeministrit të Kosovës, e pasuar nga militantë të LVV-së. LDK fton qytetarët e Kosovës të refuzojnë këtë fushatë dhe të mos bëhen pjesë e një diskursi që nuk pasqyron edukatën tonë personale, familjare e qytetare dhe nuk i takon kulturës dhe traditës tonë, si shoqëri e si komb. LDK fton Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurti, që është kryeministër në detyrë, ta dënoj këtë fushatë dhe të ndikojë në ndaljen e saj. SHBA-ja meriton respekt dhe falënderim të përhershëm të Kosovës dhe të çdo qytetari të saj”.