Dështimin e miratimit në lexim të dytë të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ia ka adresuar Listës Serbe dhe opozitës.
Përmes një konference për medie, pas shtyrjes së seancës së sotme, Gashi tha se opozita po e shtyn vendimmarrjen për këtë temë, duke mos dhënë asnjë opsion për qytetarët.
“Ne sot tentuam të mbajmë seancën e jashtëzakonshme për lexim të dytë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike. Mbajtja e kësaj seance u pamundësua nga një pjesë e partnerëve të koalicionit dhe veprimet obstruktive të opozitës. Pra, opozita pamundësoi që Kuvendi i Kosovës të merret me problemet ekonomike që po përballet shoqëria kosovare duke qenë e papërgjegjshme me veprimet e saja. Këtu shihet një element kryesor i sjelljes obstruktive të opozitës, sepse ka pamundësuar vendimmarrjen duke mos dhënë asnjë opsion”, tha ai.
I pyetur se kush nga partnerët qeverisës nuk po e përkrah, Gashi tha se nuk kanë problem me partitë shqiptare të koalicionit, por me Listën Serbe e cila nuk kishte shkuar në seancë.
“Nuk kemi probleme me partitë shqiptare të koalicionit, nuk po vjen Lista serbe në seancë. Nuk kanë të bëjnë me këtë projektligj asgjë”, tha ai.
Gashi ka kritikuar edhe deputetët e opozitës, të cilët duhet të jenë pjesë e seancës për t’i paraqitur mendimin dhe vërejtjet e tyre.
“Ne nuk po kërkojmë që ata të votojnë, por ata duhet të vijnë në kuvend dhe të japin mendimin dhe vërejtjen e tyre, dhe të debatojnë problemet. Ata nuk pranojnë të debatojnë për këto probleme duke ua pamundësuar qytetarëve të Kosovës të realizojnë të drejtat dhe tyre dhe përballen me këtë sfidë që po përballet Kosova”, tha ai.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, i pyetur rreth postit të presidentit, tha se nuk ka përçarje brenda koalicionit qeverisës, pasi në marrëveshjen e këtij të fundit nuk është përfshirë edhe kjo çështje.
“Ka këndvështrime të ndryshme, por ky koalicion nuk ka marrëveshje për presidentin. Prandaj edhe nuk ka përçarje për presidentin”, tha ai.
Krahas kësaj, Gashi tha se edhe Qeveria duhet të jetë më e kujdesshme në marrjen e masave preventive ndaj përhapjes së mëtejme të pandemisë COVID- 19.