Lidhja Demokratike e Kosovës pushtetin e Vetëvendosjes e ka quajtur të paaftë që kanë mjet propagandën. LDK ka deklaruar se qeveria Kurti përmes grafikave provoi që rritjen rekorde të çmimeve të energjisë elektrike ta paraqesë si të lehtë duke kërkuar shfuqizim të vendimit për shtrenjtim, raporton Gazeta Express.
LDK ka publikuar grafika të tjera ku paraqitet rritja e çmimeve të rrymës për kategorinë mbi 1200 kWh.
“Propaganda është mjet i këtij pushteti të paaftë. Rritja rekorde e çmimeve të energjisë, si në asnjë vend tjetër në rajon e më gjerë, u provua të shpërfaqej si një rritje e lehtë. Kryeministri, Qeveria e tij, na dhanë dje grafika përplot; por i dhanë për vetëm 1200 kËh konsum. Madje mburreshin me rritje prej 30%. Por s’vazhduan tutje këtë krahasim në përpjekje për të fshehur të vërtetën që s’fshihet dot në faturat e ardhshme. Ne po e vazhdojmë grafikën e tyre sot. Le të shohin qytetarët tanë pasqyrën e vërtetë që i pret për 1 vit rresht, nga fundi i këtij muaji deri në marsin e vitit 2023. Kushdo që ka paguar 90 euro deri dje, do të paguaj 130 euro sot; kushdo që ka paguar 100 euro do të paguaj 150. Kushdo që ka paguar 150 euro do të paguaj 240. Dhe këtu nuk përfshihen mbi 100 milionë euro të tjera, taksa tuaja, para tuaja, që do të digjen në subvencion të padrejtë”, thuhet në postimin e LDK-së.
Tutje, Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se qytetarët përvec cmimit më të shtrenjt të rrymës do të paguajnë edhe TVSH-në më së larti për kËh.
“Kjo rritje, është pasojë e vonesës së reagueshmërisë së Qeverisë. Është pasojë e mos vullnetit të tyre për të shpërndarë barrën njësoj; e mbi të gjitha, është pasojë e apetiteve të tyre për të vjelë tatime edhe më shumë. Secili prej jush, përveç se do të paguani çmimin më të shtrenjtë të rrymës në rajon, do të paguani dhe TVSH më së larti për çdo kËh. Vendimi i ZRRE-së dhe i Qeverisë duhet të shfuqizohet sa më parë. Ai nuk është i drejtë, s’merr për bazë përballueshmërinë, e mbi të gjitha është diskriminues ndaj qytetarëve tanë”, thuhet në postim.