Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka thënë se deklaratat e publikuara në media në emër të nëndegëve dhe degëve të LDK-së për zgjedhjen e presidentit të vendit, nuk shprehin qëndrimet e LDK-së.
Sipas komunikatës, thuhet se degën e LDK-së në Zvicër nuk e përfaqëson Shefqet Dibrani, dhe i njëjti nuk përfaqëson asgjë për LDK-në, për traditën dhe kulturën e partisë.
“LDK-ja fton publikun dhe simpatizantët e saj që të mos humbin kohë me deklarata dhe komunikata të paautorizuara dhe dashakeqe të Dibranit. Deputetët e LDK-së përfaqësojnë një parti institucionaliste dhe shteteformuese, i kanë të qarta rrethanat në të cilat ndodhet vendi dhe janë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për veprimet e tyre, dhe për pasojat e këtyre veprimeve”, thuhet në komunikatë.
Sipas LDK-së, ata që merren dhe shkruajnë letra, “do të ishte më mirë që një herë në jetën e tyre të punojnë e të jetojnë nga puna dhe djersa e tyre dhe jo të jetojnë me ndihmat e taksapaguesve të atyre vendeve e të djerrin kohën duke prodhuar patriotë e tradhtarë në Kosovë”.