LDK: Dështim i madh, katër ministri kanë realizuar 0 % buxhetin për investime kapitale

E publikuar: 13/08/2022 16:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Xhafer Tahiri

Xhafer Tahiri

Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke e quajtur të paaftë për të qeverisur në kohë krize.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri në një konferencë për media theksoi se disa ministri e kanë 0 për qind realizimin e buxhetit për investime kapitale në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022.

Ish-kryetari i Vushtrrisë tha se ekonomia nuk e duron populizmin dhe se qeveria populiste është duke e rritur varfërinë në Kosovë.

Deklarata

PAAFTËSIA QEVERISËSE NË NUMRA – QEVERISJA E ZERO-ve

Është skandal i madh që katër ministri e kanë 0 % realizimin e buxhetit për investime kapitale. Sipas Raportit Financiar të Thesarit të Republikës së Kosovës, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, investimet kapitale kanë qenë vetëm 9% apo më i ulëti në dhjetë vitet e fundit.

Ky raport shpërfaq me fakte dhe numra paaftësinë qeverisëse të pushtetit. Ndërkaq, mosefikasiteti i Qeverisë në realizimin e projekteve kapitale po përkthehet me rënie ekonomike, mbyllje biznesesh, humbje të vendeve të punës, rritje të varfërisë si dhe dëmtim zinxhiror në të gjitha fushat e kapluara nga kriza.

Në vijim gjeni të dhënat konkrete për mosrealizimin e investimeve kapitale nga Qeveria:

– Ministria e Ekonomisë, me buxhet vjetor për investime kapitale prej 16,154,144 euro i ka shpenzuar 0 % . Ekonomia nuk e duron populizmin, sepse gjithçka që shumëzohet me zero – zero mbetet.

– Ministrisë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga 4,470,000 euro, realizmin e ka zero. Pra, Qeveria zgjedh të investojë zero për Industrinë, zero për Ndërmarrësinë dhe zero për Tregtinë.

– Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, por edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal kanë realizuar 0% buxhet për investime kapitale. Kështu që, 38 komuna kanë zero realizim në investime kapitale.

– Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nga 103,291,413 euro ka arritur te realizojë vetëm 1% ose 587,211 euro. Për 47 projekte të rëndësishme realizimi është zero.

– Është kontradiktore dhe e çuditshme se si kryeministri një javë më parë përmendte luftën, ndërsa investon vetëm 5% të buxhetit për investime kapitale në Ushtrinë e Kosovës. Do të thotë nga 53,936,000 euro për investime kapitale, Ministria e Mbrojtjes ka ekzekutuar vetëm 2.820.457 euro, duke e lënë kështu Ushtrinë e Kosovës pa armatim, pa pajisje dhe pa sisteme të mbrojtjes.

– Fatin e ngjashëm e ka edhe Ministria e Punëve të Brendshme, me ç’rast realizon vetëm 12% nga buxheti prej 44,139,003 euro për vitin 2022. Në këtë mënyrë, qeveria duke mos i përdorur mjetet financiare që i ka në dispozicion nuk po i përmirëson kushtet e punës për policët e Kosovës.

– Në Ministrinë e Shëndetësisë, nga 15 projekte kapitale, kanë nisur vetëm 2 prej tyre, dhe atë në vlera minimale. Në këtë ministri, gjatë këtyre 6 muajve, janë shpenzuar vetëm 5 % nga buxheti, më saktësisht, nga 10,063,000 euro janë shpenzuar vetëm 530,702 euro. Me këtë rast, paaftësia qeverisëse po e dëmton rënd shëndetin e qytetarëve.

– MASHT ka realizuar vetëm 10 % të buxhetit total për investime kapitale, pra vetëm 2,673,482 euro nga 27,597,054 euro sa ishin paraparë gjithsej. Ndër të tjera nuk ka realizuar asnjë investim në ndërtimin e çerdheve të planifikuara, gjersa 5 milion euro qëndrojnë të pashfrytëzuara në 6 mujorin e parë të vitit të dedikuara për çerdhet.

– Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, nga buxheti për investime kapitale, në vlerën prej 209 milion euro i ka shpenzuar vetëm 21,611,218 euro, ose vetëm 15%.

– Ndërsa nga 20,710,000 euro për investime kapitale për Rini, Kulturë e Sport, Ministria, ka realizuar vetëm 7%.

– Ministria e Bujqësisë nga buxheti për investime kapitale, prej 6,140,769 euro ka realizuar vetëm 9%, pra edhe të mirat e tokës sonë janë të dënuara me 0 investime kapitale.

– Ministria e Jashtme dhe e Diasporës, ka shpenzuar vetëm 2% nga 10,995,000 euro të buxhetit për investime kapitale. Kjo ngecje në implementim është kosto që dëmton përfaqësimin tonë si shtet jashtë.

Kjo Qeveri për çdo ditë po e dëshmon se është e paaftë, ndaj dhe është qeverisja e zero-ve!